Një shqiptar nga Kosova ka humbur jetën aksidentalisht në vendin e punës në Itali. 44-vjeçari Shpejtim Gashi, u godit nga krahu mekanik i një pajisjeje më të cilën po punonte, shkruan Treviso Today.

Kompania e mobiljeve “3B” në Salgareda të Italisë bëri një njoftim ngushëllimi për familjen e Gashit. “Me dhimbje të madhe njoftojmë vdekjen e punonjësit tonë Shpejtim Gashi pas një incidenti në punë. Po kryhen hetimet për përcaktimin e shkaqeve të ngjarjes,” shkruhet në njoftim.

Pas incidentit, menjëherë në vendngjarje shkuan policia e doktorët, por për fat të keq nuk mund të bëhej asgjë. Prej vitesh, 44-vjeçari shqiptar jeton me gruan e 3 fëmijët e tij në vendin e quajtur Ponte di Piave, Treviso.

Kompania “3B” në shenjë zie ndërpreu punimet për një ditë.