Dita e 20 gushtit të këtij viti, ishte dita e fundit që Milor Belegu u nis për në punë. 23-vjeçari nga Peja u rrëzua po atë ditë në vendin e tij të punës, ndërsa dha frymën e fundit në QKUK, të dielën mbrëma. Nga familja e të ndjerit nuk kanë dashur të deklarohen për këtë rast. Ndërkohë, në Inspektoratin e Punës i kanë thënë Gazetës Express se ata nuk janë lajmëruar nga askush për këtë rast.

Për vdekjen e 23-vjeçarit nga Peja, i cili ndërroi jetë të dielën mbrëma në QKUK, pas një aksidenti në vendin e punës, Inspektorati i Punës nuk ishte lajmëruar fare.

Milor Belegu ishte rrëzuar e kishte marrë lëndime në vendin e punës. Ai punonte në firmën e familjes së tij, “Afrim Belegu Knauf”.

E se për këtë rast nuk ishte njoftuar fare Inspektorati i Punës, këtë e ka konfirmuar për Gazetën Express vetë kryeinspektori i punës, Basri Ibrahimi.

“Për aksidentin në vend të punës, në të cilin ka pësuar punëtori Milor Belegu i moshës 23 vjeç (viti i lindjes 1994), Inspektorati i Punës nuk është lajmëruar nga askush për këtë aksident.

Rasti ka ndodhur me dt. 20.08.2018 dhe për trajtim në qendrën spitalore në Pejë është sjellë rreth orës 13:00 të të njëjtës ditë. Prej spitalit në Pejë është përcjellë i aksidentuari për trajtim në QKUK në Prishtinë dhe me dt.26.08.2018 ka ndërruar jetë i riu”, ka thënë Ibrahimi.

Ndërkohë, ai thotë se pasi që Inspektorati i Punës është njoftuar, rasti është në procedurë e sipër, gjersa deklaron se Belegu ka qenë i vetëpunësuar dhe se nuk ka qenë pjesë e ndonjë kompanie.

Ai deklaron se inspektorët janë në përpjekje për të marrë informata për këtë rast.

“Meqenëse nuk ka qenë punëtor i ndonjë kompanie, familjarët për momentin janë në zi, kërkon pak kohë për të marrë informata të sakta”, ka thënë Ibrahimi për Express.

Nga familja e të ndjerit nuk kanë dashur të deklarohen lidhur me këtë rast.

E nga shoqëria e të ndjerit e përshkruajnë atë si djalë të qetë dhe punëtor. S.P, nga Peja, thotë se me Milorin kishte shoqëri që nga shkolla e mesme, ndërsa ndarjen e tij nga jeta ajo e përshkruan si humbjen më të madhe që shoqëria e saj e ka përjetuar deri më tani.

“Milorin e kemi pasë shok e vëlla, ka qenë i kujdesshëm dhe ka tregu çdo herë respekt. Jemi të shokuar nga humbja e tij, deri më tani nuk kemi pasur dhimbje më të madhe në shoqërinë tonë”, ka thënë ajo për Express.

Ndërsa si nxënës shembullor, Milorin e përshkruan edhe ish-kujdestarja e tij, Nagjije Kastrati, e cila sot ka shkruar në profilin e saj në Facebook për humbjen e nxënësit të saj.

Për t’i sqaruar rrethanat e vdekjes së 23-vjeçarit, hetime tashmë ka nisur edhe Prokuroria e Shtetit. Këta të fundit tashmë i kanë intervistuar të gjithë anëtarët e familjes Belegu të Pejës. Rasti po cilësohet si “vdekje e dyshimtë”.

“Lidhur me këtë është informuar prokurori i shtetit i cili urdhëron qe te intervistohen familjaret rreth ndonjë dyshimi të mundshëm ne rast. Rasti është cilësuar si ‘Hetim i vdekjes. Hetuesit policor kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit dhe trupi ju lirohet familjarëve. Rasti mbetet nën hetim”, thuhet në njoftimin e Policisë së Pejës.

Ndryshe, që nga janari i 2018-ës, numri i punëtorëve që e kanë humbur jetën në vendin e tyre të punës ka arritur në 13.

Kurse, sipas të dhënave zyrtare edhe viti paraprak u përmbyll me një numër shqetësues të vdekjeve në vendin e punës. Në vitin 2017, sipas Inspektoratit të Punës, 7 punëtorë të ndërtimtarisë kanë gjetur vdekjen në vendin e tyre të punës, e 30 të tjerë janë lënduar nga aksidentet gjatë procesit të punës.

Nëse marrim statistikat për pesë vjet të fundit, rreth 90 qytetarë, mbajtës të familjeve, kanë humbur jetët në vendet e tyre të punës