Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Republikës së Kosovës (SBASHK) përmes një deklarate për media, ka shprehur zhgënjimin me versionin final të projektligjit për paga, pasi, sipas tyre, vërejtjet e argumentuara nuk janë marrë parasysh dhe se projektligji, siç thotë SBASHK-u, vazhdon të jetë nënçmues e degradues për arsimin në Kosovë e veçmas për punëtorët në arsimin parauniversitar dhe në administratën e arsimit në tërësi.

“Sistemi arsimor është i radhitur tepër ulët në tabelën e koeficienteve dhe i vlerësuar po ashtu tepër ulët. Ne, duke ofruar plot argumente e duke mos kërkuar as më pak e as më shumë se të tjetër, kemi kërkuar që koeficienti për mësimdhënësit e shkollave të mesme të jetë 2.70, për ata në arsimin special 2.6 dhe për mësimdhënësit e shkollave fillore 2.5. Kjo kërkesë reale nuk është përfillur as për se afërmi”, thuhet në deklaratë.

SBASHK-u kërkon nga kryeministri Ramush Haradinaj që të kthejë mbrapa projektligjin në fjalë dhe të mos votohet, pasi në këtë mënyrë do të kontribuohej në mirëvajtjen e vitit të ri shkollor, në të kundërtën do të veprohet sipas kërkesave të mësimdhënësve të Kosovës.