Përderisa shumica e kosovarëve e kalojnë tërë ditën me 1 euro e 30 cent, vetëm një i burgosur i kushton shtetit rreth 28 euro në ditë. Kjo shifër në fund të muajit arrin në 850 euro, ndërsa në vit shkon deri në 10 mijë euro. Por, ndonëse shpenzohen gjithë këto para për ta, vetëm 3 euro në ditë shkojnë për ushqim. Megjithatë, ata po ankohen për cilësinë dhe sasinë e ushqimit.

Të burgosurve nuk po u pëlqen ushqimi që po u shërbehet nëpër burgjet e vendit. Ata po ankohen për cilësinë dhe sasinë e ushqimit që u servohet në mëngjes dhe darkë.

Madje, ata për këtë edhe janë ankuar edhe në Mekanizmin Kombëtar për Parandalim të Torturës në Qendrën Korrektuese në Dubravë.

Kështu është bërë e ditur në bazë të raportit me rekomandime lidhur me vizitën e Mekanizmit Kombëtar për Parandalim të Torturës në Qendrën Korrektuese në Dubravë, që e ka publikuar Avokati i Popullit.

Por, po të shikohet menyja me të cilën ushqehen ata, ajo ngjason me ushqimin që shërbehet në shumicën e hoteleve në vend.

Tri herë në ditë mish, pemë, perime, lëngje frutash dhe çaja të ndryshëm, është menyja ditore më të cilën ushqehen të burgosurit çdo ditë në vend.

Për secilin racion të një të burgosuri, shteti paguan nga një euro. Ndërsa për të gjitha nevojat, vetëm për një ditë një i burgosur i kushton shtetit 28 euro, përkatësisht 850 euro për muaj.

Por, në Shërbimin Korrektues thonë se nuk qëndrojnë këto ankesa, pasi që, siç deklarojnë ata, ushqimi është i llojllojshëm, me kalori sipas normativit dhe i përshtatur sipas stinës së vitit.

Drejtori i Burgut të Dubravës, Jeton Mehmetaj, i ka thënë Gazetës Express se ushqimi që u shërbehet të dënuarve është i njëjti që i shërbehet edhe stafit të Qendrës Korrektuese në Dubravë.

Mehmetaj thotë se gjella është tradicionale e njëjtë si në kuzhinat popullore, dhe se gjella e njëjtë nuk mund të përsëritet më shumë se dy herë brenda jave. Gjersa deklaron se ushqimi i një të burgosuri për të tri shujtat kushton deri në 3 euro.

“Të burgosurve në Qendrën Korrektuese në Dubravë u servohet ushqimi bazuar në menynë javore e kjo bazohet në normativin qendror të SHKK-së. Mëngjesi, dreka dhe darka, shërbehen bazuar në menynë javore ku për mëngjese zakonisht shërbehen vezë të ziera, qumësht, byrek me jogurt pastaj kifle më çaj, eurokrem –qumësht etj. Ndërsa në darkë shërbehen çofte, jogurt, djath i butë, mish i konservuar, peshk, qepë, rollatë, sallam etj.”, ka thënë Mehmetaj për Express.

Tutje, Mehmetaj deklaron se ankesat e të burgosurve merren çdo herë parasysh dhe se bëhet edhe ndryshimi i menysë sipas kërkesës së tyre, por se nuk e kalojnë normativin.

“Kërkesat grupore dhe me shkrim nga të burgosurit, merren çdo herë parasysh dhe behët ndryshimi i menysë sipas kërkesës së tyre, por çdo herë duhet të kemi kujdes që të mos kalohet normativi. Ne, në vazhdimësi marrim edhe propozimet e të burgosurve për ushqimin. Mund të themi lirisht se ushqimi është i llojllojshëm me kalori sipas normativit dhe i përshtatur sipas stinës së vitit”, ka thënë ai.

Aktualisht në Qendrën Korrektuese në Dubravë, në vuajtje të dënimit janë 780 të burgosur, ndërsa në të gjitha qendrat prapa grilave janë 1 mijë e 569 persona. Prej tyre janë 48 gra.

Për gjithë këta të burgosur nga buxheti i shtetit shpenzohen çdo vit me miliona euro.

Zyrtari për Informim në SHKK, Jeton Kabashi, i kishte thënë Gazetës Express se shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë në rreth 28 euro në ditë.

“Shpenzimet ditore për një të burgosur arrijnë rreth 28 euro në ditë, ndërsa shpenzimet mujore apo vjetore varen nga pranimet apo lirimet e të burgosurve”, ka thënë Kabashi.

Por, sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, vetëm për një vit për nevoja të të burgosurve nga buxheti i shtetit shpenzohen rreth 15 milionë euro.

E meqenëse numri i të burgosurve në tri vitet e fundit nuk është se ka ndryshuar, i bie që për tri vjet vetëm për personat që gjenden prapa grilave për vepra të ndryshme penale janë harxhuar afër 50 milionë euro.

Për numrin e madh të shpenzimeve për të burgosur kishin reaguar edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut.

Në këtë institucion kishin kërkuar që numri i të paraburgosurve të ulet dhe gjykatat të mos caktojnë këtë masë për çfarëdo rasti. Sipas tyre, në këtë mënyrë do të kursehej edhe buxheti i shtetit.

“Ne si KMDLNJ kemi kërkuar që paraburgimi të jetë si masë e skajshme, pikërisht që të kursehet buxheti i Kosovës, sepse në qoftë se një i paraburgosur nuk ka rrezik të ikë, atëherë nuk e dimë pse do të duhej të mbahej në burg”, kishte thënë Drejtori i KMDLNJ-së, Behxhet Shala.

Në Kosovë, sipas tij, numri i të burgosurve të punësuar është shumë i vogël dhe për këtë arsye është edhe shumë më e kushtueshme të mbahet një person i privuar nga liria sesa në vendet tjera.

Caktimi i paraburgimit si masa më e skajshme e sigurisë për një të dyshuar ose për një të akuzuar i ka kushtuar edhe buxhetit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Vetëm vitin e kaluar KGJK-ja ka ndarë nga buxheti i saj rreth gjysmë milioni për kompensimin e 153 personave, të cilët janë mbajtur në paraburgim dhe pas vendimit të gjykatës janë shpallur të pafajshëm.

Ndërkohë, Kabashi ka thënë se numri më i madh i këtyre personave janë të arrestuar për vjedhje, vrasje e plaçkitje. Nuk mungojnë edhe personat që janë duke e vuajtur dënimin për dhunim, plagosje e drogë.

Vetëm për vjedhje në vuajtje të dënimit janë 254 persona, gjersa mbi 50 të tjerë gjenden në paraburgim.

“Në kuadër të institucioneve korrektuese për momentin janë duke vuajtur dënimin për veprat penale të vjedhjes 254 persona, ndërsa po për këto vepra në paraburgim për momentin ndodhen gjithsej 51 persona”, kanë thënë nga SHKK-ja, ditë më parë për Gazetën Express.

Aktualisht, dënimi më i lartë i cili vuhet nëpër burgjet e Kosovës është ai me 40 vjet heqje lirie