Banorët e fshatit Repë të Podujevës kanë vendosur që të mos i lejojnë fëmijët e tyre të shkojnë në shkollë, njofton Llapi.info 

E gjithë kjo pasi që sipas banorëve, rruga nëpër të cilën duhet të kalojnë vazhdon të jetë në gjendje të mjerueshme.

Muharrem Rrustemi banor i kësaj ane, ka thënë në sallën e Kuvendit Komunal të Podujevës se 22 nxënës të kësaj ane nuk do t’i lejojnë të shkojnë në shkollë.

“Udhën që na e keni premtue kurrë nuk u realizua. Na as që kemi ku me i bë ankesat se përfaqësuesi i fshatit jeton në Fushë Kosovë e as që e njohim. E kjo rrugë duhet me u shtru se 6 familje rruga për Silevicë sikur mos me ekzistue, nuk ka rrugë ma me prioritet për me u shtru se qajo rrugë në Podujevë. Kemi vendos tash edhe është afër nisja e mësimit, 22 fëmijët mos me i lanë me shku në shkollë, se rruga veç gurë e shumë e keqe. Kur ka vërshime rrezikohen nxënësit edhe prej gurëve të mëdhenj”, ka thënë ai në Kuvendin Komunal, kur po diskutohej për propozim rregulloren që parasheh bashkëpunimin e Komunës me vendbanimet e territorit të Podujevës.

Në anën tjetër muaj më parë në lidhje me këtë rrugë, Hamdi Jaha- Drejtor i Urbanizmit në Podujevë, ka thënë për medie se vitin e ardhshëm do të shikohen mundësitë për asfaltimin e kësaj rruge. Ndërsa, prioritet në komunën e Podujevës sipas tij, është se ndërtimi i rrugëve bëhet në bazë të numrit të banorëve.

Sidoqoftë, mungesa e rrugës i ka shtyrë këta banorë të i mendojnë mundësitë për braktisjen e shtëpive në këtë vend./Llapi.info