Partitë opozitare po finalizojnë punën me mbledhjen e nënshkrimeve, për të thirrur seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit. Kërkesa për një seancë të tillë pritet të dorëzohet në Kryesi sot gjatë ditës.
Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe deputeti i LDK-së, Ismet Beqiri.
Beqiri ka bërë të ditur se opozita është në përfundim të punës për mbledhjen e nënshkrimeve, dhe pritet që me datën 4 të ketë seancë në kundërshtim të shkëmbimit të territoreve, siç po deklaron së fundi presidenti Thaçi.
“Opozita është në përfundim pra jemi duke i mbledhur nënshkrimet. Nuk besoj se do të ketë probleme për numrin e nënshkrimeve, LDK-ja është veç se afër pasi është vetëm një numër i vogël i deputetëve që janë jashtë Kosovës. Po përfolet data 4 dhe besoj që aty do të thirret seanca. Kjo seancë ka si synim të tregojë se askush nuk ka të drejt të negociojë me territorin e Kosovës. As Thaçi i cili nuk është i mandatuar për këtë punë, dhe askush tjetër”, ka thënë Beqiri për lajmi.net.
Ai u shpreh optimist se kërkesa për seancë do të dorëzohet sot.
“Besoj që gjatë ditës nënshkrimet do t’i dorëzojmë si opozitë në kryesinë e Kuvendit”, theksoi deputeti i LDK-së.
Tri partitë opozitare, kanë iniciuar mbajtjen e një séance të jashtëzakonshme pas deklaratave të presidentit për korrigjim të kufijve. Opozita ka dalë kundër kësaj ideje.
Rezoluta e cila pritet të prezantohet në këtë seancë ka vetëm një pikë: “Që askush nuk ka të drejtë ta negociojë dhe cenojë territorin e Kosovës”.