Dje u raportua që presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi do të ftohet të raportojë në Kuvend për dialogun dhe deklaratat e tij në lidhje me korrigjimin e kufijve. Por kundër kësja ideje ka dalur Lidhja Demokratike e Kosovës.
Deputeti i kësaj partie, Ismet Beqiri thotë se presidenti së pari nuk është i mandatuar ta udhëheq dialogun, dhe si rezultat nuk ka pse të raportojë.
Beqiri ka thënë për lajmi.net se LDK-ja e kundërshton mundësinë që ai të ftohet për raportim në Kuvend.
“Disa media kanë shkruar se Thaçi do të ftohet për të raportuar. Po ne si LDK e kundërshtojmë edhe faktin që Thaçi të vjen të raportojë në Kuvend, pasi ai nuk është i mandantuar për ta udhëhequr dialogun”, ka thënë Beqiri.
Ai ka vlerësuar se Thaçi nuk ka çfarë të thotë më shumë, përveç deklaratave të zakonshme për korrigjimin e kufijve.
“Nuk ka më çfarë të thotë, jemi mësuar me deklaratat e tij për korrigjim të kufijve të cilat nuk dua t’i interpretojë, por që LDK kundërshton raportimin e tij në Kuvend”, u shpreh Ismet Beqiri.
Për temën e kufijve Kuvendi pritet të mbledhet në një seancë të jashtëzakonshme. Partitë opozitare pritet që sot gjatë ditës t’i dërgojnë nënshkrimet në Kryesi.
Thaçi do të udhëtojë në Bruksel më 7 shtator, për raundin e ri të dialogut me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.