Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha ka konfirmuar se nesër do të votohet hapi i parë për liberalizimin e vizave për Kosovën.
Hoxha ka zhvilluar sot disa takime të rëndësishme në Parlamentin Evropian.
“Gjatë qëndrimit tim në Bruksel, ku po mbahet takimi i Komisioni LIBE dhe nesër do të votohet për liberalizimin e vizave për Kosovën, zhvillova disa takime.
Me kënaqësi e takova eurodeputeten nga Sllovenia, Tanja Fajon, Raportuese për Kosovën në Parlamentin Evropian.
Vura në dukje se kemi plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim nga udhërrëfyesi. Pritjet tona janë vendimet pozitive për liberalizimin e vizave, votimin e Komisionit LIBE pro liberalizimit.
Znj. Fajon, ishte me vite një përcjellëse besnike e të arriturave dhe interesave të Kosovës, edhe tash, mirëpresim kontributin e saj si Raportuese në Parlamentin Evropian, duke rikonfirmuar të arriturat tona për liberalizimin e vizave, procesin integrues dhe lobimin për njohjen e shtetit dhe shtetësisë tonë në organizatat ndërkombëtare.
Kosova dhe qytetarët e saj janë gati për liberalizim.
Gjatë ditës së sotme, po ashtu në takime të ndara, takova eurodeputetet Marie Christine Vergat, Angelika Mlinar dhe eurodeputetin Asim Ademov, të gjithë anëtarë të Komisionit LIBE me të cilët u rikonfirmua mbështetja për liberalizimin e vizave për kosovarët” shkruan Hoxha në Facebook.