Kryeministri Ramush Haradinaj është kundër idesë së presidentit Hashim Thaçi për ridizajnimtë kufijve dhe shkëmbim të territoreve, duke thënë se një ide e tillë është ftesë për tragjedi të reja në Ballkan.

Në një postim në Facebook, Haradinaj ka shkruan se ridizajnimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike, transmeton Koha.net.

“Diskutimi i vazhdueshëm publik mbi ridizajnimin e kufijve dhe shkëmbimin e territoreve është një ftesë për tragjedi të reja në Ballkan, i cili çon në destabilizim, pasiguri dhe rrezikon investimet afatgjata politike dhe të sigurisë për stabilitetin dhe paqen në Kosovë dhe rajon”, ka shkruar Haradinaj në Facebook derisa ka falënderuar shtetet perëndimore dhe Amerikën për angazhimin e tyre për Kosovën.

“Populli i Kosovës është falënderues për angazhimin afatgjatë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Europian dhe vendeve tjera mike të bashkësisë ndërkombëtare në vendin tonë. Ne jemi gjithmonë mirënjohës për rolin, mbështetjen dhe kontributin e tyre të jashtëzakonshëm në të gjitha proceset e ndërtimit dhe konsolidimit të shtetësisë së Kosovës, forcimit të institucioneve tona dhe avancimit të paqes dhe prosperitetit për të gjithë qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Haradinaj.

“Për më shumë se dy dekada, populli i Kosovës është përkushtuar të përballet me trashëgiminë e dhimbshme të së kaluarës shkatërruese dhe të kaloi në frymën e pajtimit dhe faljes dhe është jetësisht i vendosur për mbrojtjen, promovimin dhe respektimin e diversitetit në vendin tonë”, ka shtuar ai.

Haradinaj ka shkruar se Kosova deri më tani ka paguar çmim të shtrenjtë për paqen që e fitoi dhe se shteti nuk do të duhej të rrezikonte për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s.

“Kemi qenë të vendosur dhe kemi punuar pandalshëm, në veçanti, për të vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë, duke përfshirë Republikën e Serbisë. Kemi paguar një çmim të shtrenjtë për paqen që kemi sot dhe ne nuk duam të hyjmë përsëri në skenarë të rrezikshëm për të rifilluar një ndërhyrje të re të NATO-s”, ka shkruar Haradinaj.

“Marrëveshja Përfundimtare Ligjërisht e Obligueshme midis Kosovës dhe Serbisë do të jetë një hap vendimtar për sigurimin e stabilitetit dhe paqes në rajonin tonë. Njohja reciproke dhe paqja e qëndrueshme duhet të jetë rezultati i vetëm kredibil nga kjo marrëveshje”, ka shkruar ai.

Haradinaj në fund të postimit ka shkruar se “do të vazhdoj fuqishëm të qëndroj kundër këtyre ideve shkatërruese dhe u bëj thirrje të gjitha vendeve mike dhe institucioneve ndërkombëtare kontribuese për Kosovën, që të kundërshtojnë idetë shkatërruese dhe të mos lejojnë që ato të arrijnë në tryezën e vendimmarrjes”.