Ministrat e jashtëm të disa vendeve të Bashkimit Evropian kanë mendime të ndryshme për mundësinë e korrigjimit të kufijve mes Kosovës dhe Serbisë, si zgjidhje për marrëveshjen përfundimtare.
Ministri i jashtëm gjerman, Heiko Mass ka thënë se “çdo shkëmbim i territorit mund të hap shumë plagë të vjetra. Dhe për këtë Berlini është skeptik”.

Njëjtë po mendon edhe ministri i jashtëm në Austri, Karin Kneissl, transmeton lajmi.net.

Ai ka thënë se “ndryshimet kufitare gjithmoën kanë sjellur probleme të reja”.

Kundërshtim të ashpër për këtë mundësi të zgjidhjes së problmeve ka pasur edhe ministri i jashtëm i Luksemburgut, Zhan Alseborn.

“Unë e kundërshtoj. Kjo mund të ketë një efekt shumë negative në vendet e tjera në rajon. Kjo është arsye pse duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Alseborn.

Ministri i jashtëm i Belgjikës, Dider Reynders tha se një marrëveshje finale varet direkt nga dy shtetet, pra Kosova dhe Serbia.

“Është e rëndësishme elementet e marrëeshjes. Nuk duhet që BE-ja të përcaktojë udhëzimet se çfarë duhet të përfshijë marrëveshja. Ne po mbështesim bisedat e tyre”, tha Rejnders.

Kurse ministri i jashtëm i Rumanisë, Teodor Viorel Melescanu tha se marrëveshja finale Prishtinë-Beograd, do të hapte rrugë për të marrë vendimet përfundimtare për njohjen ose jo të Kosovës.

“Kjo do të na jap një ndihmë. Shtetet që nuk e kanë njohur Kosovën, do të vinin në një vendim përfundimtar”, tha ai.

Kurse për këtë temë sot foli edhe përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini.

Ajo tha se BE-ja mbështetë çdo lloj marrëveshje që e arrijnë Kosova dhe Serbia.

“Cilido që të jetë rezultati i dakorduar në mënyrë reciproke, do ta ketë mbështetjen tonë, me kusht që ai të jetë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”, tha Mogherini.