Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, po merr pjesë në Forumin e 13-të të Dubrovnikut, për sfidat me të cilat shtetet ballafaqohen në sferën e sigurisë rajonale dhe globale.

Siç ka shkruar në një postim në Facebook, emigracioni, terrorizmi ndërkombëtar, ngrohja globale dhe lajmet e rreme, si dhe rezistenca e shteteve ndaj tyre, janë temat bosht të Forumit të sivjetëm të Dubrovnikut.

“Kosova është e përkushtuar që t’u përgjigjet këtyre temave, duke marrë pozicion konstruktiv dhe duke u mbështetur në partnerët e saj strategjikë”, ka shkruar Haradinaj.

Ndërkohë, në një postim tjetër, Haradinaj ka thënë se e ardhmja jonë varet nga aftësia për t’iu përshtatur ndryshimeve demokratike, duke e përqafuar agjendën europiane që i siguron Kosovës prosperitet dhe integrime.

“Gjatë panelit të diskutimit në Forumin e Dubrovnikut, theksova se po punojmë që ndërlidhja e rajonit tonë të jetë në funksion të integrimeve europiane. Objektivi ynë kryesor mbetet integrimi në BE dhe anëtarësimi në NATO. Vendi ynë po përgatitet për transformimin e FSK-së në forcë të armatosur, sipas standardeve të NATO-s, duke synuar bashkëpunimin me vendet aleate në forcimin e stabilitetit në rajon, Europë dhe në botë”.

“Kosova ka paguar çmim të shtrenjtë për paqen që ka sot, ia din vlerën, dhe është e vendosur për partneritet me të gjitha vendet që janë të përkushtuara për paqen e përhershme në rajonin tonë”, ka shkruar kryeministri Haradinaj.