Veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Brigada 113 do të protestojnë nesër në Prishtinë.

Siç bëhet e ditur, në këtë protestë do të kërkohet pastrimi i listave të veteranëve, si dhe keqpërdorimeve të tjera, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, një protestë e tillë nuk është duke u përkrahur nga OVL e UÇK-së.

Kryetari i kësaj organizate, Hysni Ngucati, tha të enjten për lajmi.net se OVL e UÇK-së përkrah kryeprokurin e shteti, Aleksander Lumezi që të qojë deri në fund hetimin rreth listave të veteranëve.

“Ne si organizatë e veteranëve të luftës nuk e përkrahim protestën, unë e përkrahi kryeprokurin me i qu deri në fund hetimet për veteran të luftë, me protestë vetëm sa e pengojmë punën”, ka thënë Ngucati.

Madje Ngucati tha se njëri ndër organizatorët e kësaj proteste, Faik Zogaj, nuk ka të drejtë ta bëjë një gjë të tillë në emër të Brigadës 113 për shkak se kjo e fundit ka hierarki të veten.

E ndaj kësaj deklarate ka reaguar vetë Faik Zogaj.

Ai në një përgjigje për lajmi.net ka thënë se ka shumë arsye për të protestuar, dhe se sipas tij përkrahja duhet të vijë edhe nga OVL e UÇK-së.

Ai tha se sipas tij edhe ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, është duke u mbajtur padrejtësisht në burg.

“Ngucati e di që Sylejman Selimi është duke u mbajtur padrejtësisht në burg që nga shtatori. Unë kërkoj nga Ngucati që t’i mbështet jo vetëm protesten e tre shtatorit por edhe të gjitha protestat që organizojnë veteranët nëse e ndjen e vetën kryetar të OVL-së. Përndryshe ne do të reagojmë ndaj të gjithëve që kërcënojnë të drejtat e veteranëve”, ka thënë Zogaj.

Protesta është paralajmëruar për nesër me fillim prej orës 11:00.

Kujtojmë se çështja e numrit të veteranëve të UÇK-së u riaktualizua me dorëheqjen e prokurorit i cili po hetonte këto lista, Elez Blakaj.

Ky i fundit përmes një letre publike kishte akuzuar kryeprokurin Lumezi për ndërhyrje në hetime./