Negociatat për një zgjidhje pajtimi mes Kosovës dhe Serbisë, ka hyrë në një gazë vendimtare dhe të dyja vendet aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por projekti mund të has në rezistencë, veç vendeve tjera, edhe nga Spanja, që është një nga pesë partnerët e BE-së që nuk njeh pavarësinë e Kosovës.
Asnjë nga qeveritë spanjolle nuk e ka lidhur kundërshtinë e tyre në këtë çështje me gjendjen politike në Katalonjë apo në Rajonin Bask, por shumica e analistëve ia atribuojnë këtë qëndrim të qeverisë frikës nga precedani i ndarjeve të njëanshme nga Spanja dhe anëtarësimit të tyre të mëvonshëm në BE.
Komisioni Evropian, që vepron si ndërmjetës mes Prishtinës dhe Beogradit, të premten që lamë pas në Vjenë, gjatë një takimi joformal të ministrave të Jashtëm të BE-së, tha se shpreson të mbyll këtë çështje brenda muajve që do të shënonte kapitullin e fundit të ndarjes së përgjakshme të Jugosllavisë, nga ku edhe rrodhi shpallja e njëanshme e pavarësisë së Kosovës, raporton “ElPais”.
Qeveria spanjolle do të kundërshtojë çdo marrëveshje mes Kosovës e Serbisë që për bazë ka ndarjen e territoreve në baza etnike.
Kështu ka thënë delegacioni spanjoll i cili qëndroi në Vjenë të premten, delegacion ky i kryesuar nga ministri i jashtëm, Josep Borrell.
“Ne nuk jemi pengesë”, citon “ElPais” të ketë thënë Borrell pas takimit në kryeqytetin austriak. “Por zgjidhjet që kanë për bazë ndarjen etnike të territoreve ngrenë shumë rezerva logjike”, shtoi ministri spanjoll, transmeton Koha.net.
Gazeta shkruan po ashtu se brengën spanjolle e kanë edhe disa partnerë tjerë evropianë, të cilët frikësohen se Serbia dhe Kosova do të lëkundin hartën e Ballkanit edhe njëherë dhe do të prishin stabilitetin edhe ashtu fragjil që ka mbretëruar atje që nga fundi i luftërave më 1999.
Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas, ka paralajmëruar në Vjenë se shkëmbimi i territoreve “mund të rihap shumë plagë të vjetra në mesin e popullatave dhe për këtë jemi shumë skeptikë për këtë propozim”, duke iu referuar propozimit të presidentëve Thaçi dhe Vuçiq të cilët dolën haptas në takimin e Vjenës të javës së kaluar.
E përditshmja spanjolle thekson se ridefinimi i kufijve në baza etnike mund të nxis ndarje edhe në Bosnje e Hercegovinë, ku popullsia serbe është shumicë në zonën e Republikës Serbe. Një domino e frikshme mund ta kthejë rajonin e Ballkanin sërish 20 vjet pas nga masakrat e fundit dhe proceset e përgjakshme të spastrimit etnik.
Të dy, Thaçi e Vuçiqi, ishin dëshmitarë dhe protagonistë të këtyre episodeve të tmerrshme. Presidenti serb ishte aktiv në një formacion ultra-nacionalist dhe ishte edhe ministër gjatë luftës në Kosovë. Lideri kosovar udhëhoqi Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një grup ky gueril që luftoi për pavarësi nga Serbia, transmeton Koha.net.
Tani, të dy këta duken të gatshëm të ndryshojnë faqe për t’u dhënë perspektivë evropiane vendeve të tyre përkatëse, madje edhe me rrezikun e shkundjes së folesë së grerëzave sërish dhe duke provokuar zemërim tek disa vende evropiane, që u frikësohen pasojave serioze gjeostrategjike.
Një nga grupet më fjalëpaka është Spanja, refuzimi i së cilës për të njohur Kosovën është duartrokitur deri më tani nga Beogradi. Por qëndrimi spanjoll mund të komprometohet nëse qeveria serbe vendos vet mbi çështjen. Rumania, e cila së bashku me Spanjën, Greqinë, Sllovakinë dhe Qipron, përbëjnë pesëshen e BE-së që nuk e njohin Kosovën, tashmë ka pranuar se mund të ndryshojë qëndrim në rast se Serbia pajtohet me territorin që i është shkëputur 10 vjet më parë.
Komisioneri Evropian për Zgjerim, Johannes Hahn, tha në Vjenë se “gjëja e parë që duhet bërë është t’i lëmë vendet në rajon të gjejnë një zgjidhje dhe më pas Spanja do të vendosë”. “Nuk do të jemi më papë se Papa”, tha Borrelli, ndonëse ka shprehur pakënaqësinë e tij në lidhje me marrëveshjen e mundshme që ka të bëjë me korrigjim të kufijve, përfundon “ElPais”.