Shumë kampanja vetëdijesuse janë zhvilluar për të krijuar një ambient paqësor dhe më të sigurt në Kosovë. “Festo me zemër e jo me armë” është ajo e fundit. Por, as kjo nuk po funksionin që të ndalen të shtënat me armë nëpër ahengje të ndryshme familjare.

Edhe këtë sezon të verës kur shtohet numri i ahengjeve të ndryshme, janë shtuar edhe të shtënat me armë në krahasim me vitin e kaluar në Podujevë.

Vetëm përgjatë muajit gusht në Podujevë janë hapur 14 raste për të shtëna me armë nëpër ahengje familjare, njofton Llapi.info

Nga këto të shtëna me armë një 6 vjeçare ka mbetur e plagosur në gjoks mesditën e 16 gushtit në fshatin Obrançë. V.S i mbijetoi një operacioni në rëndë në QKUK ku iu nxjerr plumbi nga trupi i cili e kishte goditur atë në oborrin e shtëpisë së saj.

Komandanti në Stacionin Policor të Podujevës, Bekim Bislimi ka thënë për Llapi.info se nga 14 raste të ndryshme të raportuara janë konfiskuar 16 armë.

“Në stacionin policor në Podujevë janë iniciuar gjithsejtë 14 raste si rezultat i të shtënave me armë në ahengje të ndryshme. Deri tani janë konfiskuar 16 armë të llojeve të ndryshme”, ka thënë Bislimi.

Më tej Bislimi ka shtuar se me urdhër të prokurorit të shtetit 6 persona janë ndaluar.

Nëpër lokacione të ndryshme në Podujevë, përveç dëmeve në njerëz, dëme ka pasur edhe në prona. Një rast tjetër për shkaktim të rrezikut të përgjithshëm është hapur nga policia në Podujevë, ku një plumb bredhës ka dëmtuar një dritare të lokalit që ndodhet në rrugën e xhamisë.

Në lidhje me këtë dukuri, Policia e Kosovës u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që dasmat t’i festojnë me zemër e jo më armë, për shkak se ato mund të përfundojnë me fatalitet./Llapi.info