Dhjetëra vullnetarë të “Let’s Do It Kosova” kanë larguar mbi 200 thasë me mbeturina përgjatë rrugës që të çon tek pika kufitare në Merdare.
Në aksionin që zgjati rreth dy orë, u hoqën mbeturinat në distancën prej një kilometër përgjatë rrugës.
Drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It Kosova”, Luan Hasanaj ka thënë se pasqyra e parë që sapo hyjmë në një shtet është ajo që na del përpara, andaj nuk duhet të lejojmë pamje të tilla.
“Qytetarët tonë nuk janë të tillë. Këtë po e bazoj në faktin se kujdesemi mirë për pronat tona, por jo edhe për pronat publike. Shteti i cili është pronar legjitim i këtyre pronave duhet të kujdeset dhe të marrë masa kur ato dëmtohen. Dua ta shfrytëzoj këtë ditë për t’i ftuar edhe institucionet që të jenë të kujdesshme ndaj ambientin, siç është rasti me këtë vend këtu, ku duhet të vendosen shporta të mbeturinave”, ka thënë ai.
Hasanaj bëri të ditur se tashmë ka filluar edhe aksioni i madh për pastrimin e Kosovës.
“Jemi dëshmitarë që Qeveria tashmë ka krijuar Task Forcën për ambientin. Më 15 shtator, kur do të mbahet aksioni i madh për pastrimin e Kosovës, duhet të dalim të gjithë së bashku dhe t’u japim fund pamjeve të tilla me mbeturina. Kjo pason me një aksion tre mujor, deri në eliminimin e të gjitha mbeturinave”.
Hasanaj bëri thirrje që të rishikohen strategjitë mjedisore për të parë pse ato nuk po funksionojnë dhe t’i ridraftojnë ato nëse është e nevojshme.
Në anën tjetër, zyrtari tjetër i Let’s Do It Kosova, Besnik Shabiu ka thënë se këto aksione nuk arrijnë t’i largojnë të gjitha mbetjet në Kosovë. Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve, madje edhe atyre që kritikojnë, që të bashkohen në këto aksione, sepse është koha e fundit që vendit t’i kthehet pamja që e meriton.
Përveç dhjetëra vullnetarëve të Let’s Do It Kosova, aksionit iu bashkua edhe Kompania “Natyra”, e cila përveç makinerisë për largimin e mbeturinave, ofroi edhe vullnetarë që iu bashkuan aksionit për pastrimin e brigjeve përgjatë rrugës tek pika kufitare në Merdare.