Një grup ish-luftëtarësh të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga rajoni i Drenicës kanë dalur sot në protestë me kërkesën për pastrimin e listave të përfituesve të pensioneve të veteranëve të luftës.

Ata i kanë dhënë 30 ditë kohë veprimi Kuvendit të Kosovës për pastrimin e listave të veteranëve , para se të kalojnë në veprime tjera protestuese.

Ata thanë se nuk do të tolerohen mashtruesit që sipas tyre kanë falsifikuar certifikatat e veteranëve për të përfituar nga pensioni që e ofron shteti.

Faik Zogaj, organizator i protestës listoi kërkesat e tyre që përfshijnë edhe ndaljen e pagesës për të gjithë veteranët derisa të pastrohen listat.

“Kërkesat tona janë sot tri. Kërkojmë nga Kuvendi që në mënyrën sa më të shpejtë të paatrohet lista e veteranëve, jo të ketë manipulues të bëhet një ligj për veteranët. Një ligj që të ketë parimet e veta. Çdo veteran ti gëzoj të drejtat e veta. 170 euro i mer një veteran i vërtetë dhe të njëjtat i merr edhe një falsifikator. Kërkojmë shkarkimin e Lumezit. Blakaj ka qenë i vetmi prokuror që ka marrë parasysh kërkesat tona, ai prokuror ka pasur fakte dhe ndër ato fakte i kemi edhe ne. Falaifikatorët kanë dalë dhe kanë bo falsifikime. Gjithashtu kërkojmë lirimin e komandantit Sylejman Selimit”, tha Zogaj.

Ata paralajmëruan se do të takohen me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Hazir Çitaku, një tjetër veteran, foli për mënyrat e regjistrimit të ushtarëve të UÇK dhe si do të mund të identifikoheshin sot.

“Unë kam qenë në luftën e kosovës lindore. Unmik e ka bo regjistrin e të gjithë veteranëve në atë kohë. Gjatë regjistrimit ka qenë cmimi 100 mark për cdo regjistrim. Ndërrimi i TMK në FSK çdo ushtar e ka marrë vendimin e TMK, nuk ka pas dallavere në ato vendime ushtaret e vërtetë i kanë ato vendime të TMK. Ushtarët e Maqedonisë, janë hyrë në sistemin e pagave tona. Në rregull janë hyrë në listën e luftëtarqve të luftës së Kosovës Lindore. Këtu po përzihen fjala profiter dhe veteran”, tha Çitaku.

Kjo protestë nuk ishte përkrahur nga Organizata e Veteranëve të Luftës.