Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sot ka pritur në takim Halit Konushevcin, babain e Heroit të Kosovës, Ilir Konushevci.

Kryeministri Haradinaj tha se në nëntor të këtij viti që përkon me festën e flamurit do të bëhet rivarrimi i Heroit të Kosovës, Ilir Konushevci, në varrezat e dëshmorëve në Prishtinë, në pajtim dhe me vullnetin e familjes.

Eshtrat e Ilir Konushevcit deri më tani preheshin në varrezat e Tiranës, ndërsa nga nëntori i këtij viti do të jenë në mesin e dëshmorëve dhe bashkëluftëtarëve të tij në Prishtinë, në një ceremoni që organizohet nën patronatin e kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ilir Konushevci ishte një prej figurave të shquara dhe një prej prijësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Postimi i plotë i kryeministrit Haradinaj:

Varret e dëshmorëve iu shërbejnë brezave për të kuptuar se ku i ka rrënjët liria. Pata nderin ta pres babain e Ilir Konushevcit, bacën Halit, të cilit i ofrova mbështetjen time dhe të Qeverisë së Kosovës për kthimin e eshtrave të Heroit në Kosovë. Me vullnetin e bacës Halit, riatdhesimi i eshtrave të birit të tij do të bëhet, këtë vit, në prag të festës së flamurit. Iliri e tejkaloi veten për lirinë e vendit tonë. Ne i obligohemi përjetësisht figures dhe veprës së tij.

Image may contain: 1 person, indoor