Kuvendi i Kosovës mbajti sot seancë të jashtëzakonshme lidhur me shqyrtimin e propozim-vendimit të Qeverisë së Kosovës për emërimin e ekipit negociator për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ashtu edhe siç kishte paralajmëruar shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, deputetët e këtij subjekti nuk morën pjesë në këtë seancë me arsyetimin se kjo është një përpjekje e kryeministrit Haradinaj për të prishur seancën e orës 10:00, shkruan lajmi.net.

Mirëpo, vendimit nuk i’u bind deputetja e kësaj partie, Teuta Rugova.

Ajo ishte e vetmja deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës që u paraqit në këtë seancë.

E lidhur me këtë deri më tani nuk është deklaruar askush nga subjekti më i madh opozitar.

Lajmi.net ka tentuar sot të kontaktojë me shefin e Grupit Parlamentar, Avdullah Hotin, nënkryetarët dhe sekretarin e përgjithshëm, Ismet Beqiri, mirëpo asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur në telefon.

Kujtojmë se kjo nuk është hera e vetme që Teuta Rugova nuk i bindet partisë së saj.

Kohë më parë, ajo së bashku me delegacionin e Kuvendit kishte shkuar në një udhëtim zyrtar për vizat, megjithë se Avdullah Hoti kishte deklaruar se askush nga kjo parti nuk do t’i bashkëngjitet këtij grupi.