Ministri serb i Punëve të Brendshme, Nebojsha Stefanoviq ka thënë sot se Beogradi i ka kuptuar “kërcënimet” e Kadri Veseli, kryetarit të Kuvendit të Kosovës, drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Stefanoviq e ka “paralajmëruar” Veselin që mos të ndërmerr asnjë aksion kundër presidentit serb.
Stefanoviq e ka marrë si kërcënimin deklaratën e Veselit se mund t’ia shkurtojë lejen e qëndrimin Vuçiqit në Kosovë. Megjithatë, një deklaratë e tillë e Veselit, të cilën e transmetojnë mediat serbe, nuk dihet se kur është bërë apo nëse është bërë fare.
Sipas tyre, Veseli e ka kërcënuar Vuçiqin se në Kosovë mund të kalojë si Gjuriqin.
“I kemi kuptuar kërcënimet që Kadri Veseli ia ka drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe, nëse vetëm diçka i ndodh në Kosovë, e dimë se si do të përgjigjemi”, ka kërcënuar Stefanoviq, transmeton lajmi.net.
“Nuk befasohem së për Vuçiqin njëjtë flasin Veseli dhe Gjilas (Dragan Gjilas, opozitar serb), njëjtë flasin Haradinaj dhe Jeremiq (Vuk Jeremiq, opozitar serb), Limaj dhe Sava Janjiq (igumen i Manastirit të Deçanit), por jam i brengosur për heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare dhe që po tentojnë të bëjnë barazime të rrejshme, duke u bërë thirrje, siç thonë shpesh të dyja palëve, që të përmbahen nga trazirat”, ka thënë Stefanoviq.
Sipas tij, Vuçiq është ai që dëshiron paqe.
“I kërkoj Kadri Veselit, jo që i frikësohem, por për shkak të paqes së gjithëmbarshme dhe stabilitetit në Ballkan, që mos të ndërmerr asgjë kundër presidentit serb”, ka thënë në fund Stefanoviq.
Vuçiq do ta vizitojë Kosovën më 9 shtator dhe për këtë ka marrë leje nga Ministria e Jashtme e Kosovës.