Derisa presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ende nuk ka vendosur përfundimisht nëse do të vizitojë apo jo Kosovën siç ishte paralajmëruar më parë, serbët në veri po bëhen gati për ta pritur atë.

Siç shihet në disa fotografi të postuara në rrjetet sociale nga banorët e Mitrovicës Veriore, billbordat e qytetit janë mbuluar me posterë të presidentit serb.

Vuçiqi anuloi sot takimin me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçi, në Bruksel, e njëri prej shkaqeve, sipas ekipit serb është se autoritetet në Prishtinë nuk kanë lejuar që Vuçiqi të vizitojë liqenin e Gazivodës.

Pacolli tha nga Brukseli se “Kosova lejon vizitat e liderëve serbë atëherë kur ato kanë arsye të fortë”, derisa ka thënë se “nuk ka arsye për vizitë në liqenin e Gazivodës”.

Po nga Brukseli, Thaçi tha se “Vuçiqit i lejohet ardhja në Kosovë, por nuk i lejohet që të cenojë shtetësinë e saj”.

E Gjuriq, që udhëheq zyrën për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se shefi i tij ende nuk ka vendosur nëse do të vijë në Kosovë, por nëse vjen, sipas Gjuriqit, ai do të endet kah të dojë, përfshirë edhe liqenin e Gazivodës.