Deputeti i pavarur, Ilir Deda, e ka quajtur të turpshme mos-votimin e Rezolutës së Kuvendit të Kosovës për integritetin territorial dhe kundër korrigjimit të kufijve, derisa takimin e sotëm në Bruksel e ka quajtur spektakël të Hashim Thaçit dhe Aleksandar Vuçiqit për kundërshtimin e Gjermanisë për shkëmbimin e territoreve.

Deda në një deklaratë për portalin Koha.net ka thënë se opozita ka fituar pak kohë pas takimit të presidentëve me qëllim që të ketë sukses Rezoluta që ia kufizon Thaçit diskutimet për territor.

“Fillimisht, dua ta përsëris që është e turpshme që nuk u votua Rezoluta për integritet territorial dhe kundër ‘korrigjimit’ të kufijve/ndarjes/shkëmbimit të kufijve në Kuvendin e Kosovës”, ka thënë Deda për portalin Koha.net.

“Loja e sotme e Vuçiqit dhe e Thaçit me një spektakël dramatik më shumë ka gjasa të bëjë me kundërshtimin e prerë të Gjermanisë ndaj projektit të marrë të tyre, sesa me ndonjë gjë tjetër. E ne, në vend se ta qartësojmë pozitën e Kosovës me Rezolutën e përmendur, mbesim t’i falënderohemi parimësisë së Berlinit”, ka shtuar ai.

Ai ka thënë se brenda opozitës nuk bën ketë qasje përjashtuese, por koordinim të katër partive opozitare në Kuvend.

“Opozita ka tani pak kohë që t’i shikojë të gjitha mundësitë që iniciativa jonë të ketë sukses. Dhe në këtë nevojë për koordinim opozitar nuk bën të ketë qasje përjashtuese brenda vet opozitës, pasi që jemi 4 parti opozitare në Kuvend”, ka thënë Deda.