Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka pritur sot komandantin e Batalionit Rajonal të KFOR-it për Veriun e Kosovës, nënkolonel Ervin Hartman, i cili ishte i shoqëruar me bashkëpunëtorë të tjerë.
Me këtë rast ata kanë biseduar fillimisht për situatën e përgjithshme të sigurisë që po mbretëron në qytetin e Mitrovicës, duke vazhduar më pas edhe me diskutime të tjera rreth ekonomisë në vendin tonë.
Siç thuhet në komunikatë, fillimisht kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka falënderuar komandantin e KFOR-it, për kontributin e tij dhe të ushtarëve të tij për Mitrovicën, ku tha se falë angazhimit të drejtuesve të komunës dhe mbështetjes të pa rezervë të KFOR-it dhe institucioneve tjera vendore dhe ndërkombëtare, situata e sigurisë në komunën e Mitrovicës, është shumë më e mirë dhe ka shkuar drejt një stabilizimit të plotë.
“Kemi punuar shumë, bashkë me drejtuesit e komunës në veri të qytetit, që situata e sigurisë, lëvizja dhe qarkullimi i lirë i njerëzve dhe mallrave, si dhe raportet ndëretnike të përmirësohen. Falë kësaj pune, por edhe komunikimit, bashkëpunimit dhe mbështetjes që kemi pas nga komandanti i paqeruajtësve të KFOR-it për veriun e Kosovës, sot në tërë Mitrovicën kemi një situatë shumë më të relaksuar, e cila po shkon me hapa të sigurt drejt stabilizimit të plotë”, ka thënë ai.
Po ashtu kryetari Bahtiri diskutoi edhe në lidhje me bisedimet që po bëhen në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se e mbështet dialogun sepse vetëm me dialog mund të shkojmë përpara, mirëpo aty nuk duhet të flitet asnjëherë për shkëmbim të territoreve.
Komandanti i KFOR-it, nënkolonel Ervin Hartman tha se ndjehet mirë kur dëgjon për përparime në përmirësimin e situatës së sigurisë në komunë, si dhe për punën e mirë që po bëhet në zhvillimin e ekonomik të saj.
“Mendoj se prania e KFOR-it këtu është mjaft e rëndësishme për qytetarët dhe komunën tuaj. Gëzohem që keni pas komunikim dhe bashkëpunim të mirë me pjesëtarët e KFOR-it, gjë që ka rezultuar me stabilizimin e gjendjes së përgjithshme, përmirësimin e komunikimit ndërmjet komuniteteve dhe lëvizjen e qarkullimin e lirë të qytetarëve e mallrave. Unë do të angazhohem maksimalisht që bashkëpunimin dhe komunikimin me ju ta thellojmë akoma”, tha ai.
Po ashtu nënkolonel, Ervin Hartman, theksoi se stabilizimi i plotë i gjendjes së sigurisë në qytetin e Mitrovicës dhe krijimi i kushteve për lëvizje e qarkullimit të lirë do të jetë kusht për ti përmirësuar raporteve ndëretnike, andaj do të punojmë sërish së bashku në mënyrë që të kemi një zhvillim të mirëfilltë ekonomik dhe ta përmirësojmë dukshëm cilësinë e jetesës së njerëzve këtu.