Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, u takua sot me ambasadorin Qemal Minxhozi në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë. Në këtë takim kryetari Kurti shpjegoi qëndrimet e Lëvizjes në raport me zhvillimet më të fundit politike në Kosovë, të cilat, siç thuhet në kumtesën për media të Vetëvendosjes, kanë nxjerrë në pah rrënimin e demokracisë në vend përmes bllokimit që Qeveria i ka bërë Kuvendit të Kosovës dhe dialogut të gabuar e pa parime me Serbinë, që po zhvillon një president i papërgjegjshëm si Thaçi.
Në takim u theksua nevoja që Tirana zyrtare të shprehet hapur kundër manovrave manipulative që po ndërmerr Hashim Thaçi, të cilat rrezikojnë të copëtojnë dhe degradojnë shtetin e Kosovës, me pasoja për gjithë kombin shqiptar dhe në shpërputhje me vullnetin e popullit dhe të shumicës shqiptare të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.
Kosova ka nevojë të forcohet e konsolidohet si shtet ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht, duke u orientuar nga Republika e Shqipërisë për të hequr të gjithë llojet e kufijve që po na mbajnë të ndarë, thuhet në kumtesën e Vetëvendosjes.