Sot në Bruksel dështoi të mbahej takimi mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij serb, Aleksandar Vuçiq. Të dy u takuan ndaras vetëm me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini.

Partitë opozitare në Kosovë, vazhdimisht kundërshtuan që në një takim të radhës mes tyre të diskutohet çështja e kufijve.

Partia Socialdemokrate, konsideron se presidenti Thaçi nuk ka mandat për të negociuar në emër të Kosovës, dhe sipas tyre, në vazhdimësi proceset negociatore të deritanishme kanë qenë jotransparente, prandaj edhe tani është e vështirë të parashikohet marrëveshja në Bruksel, raporton Koha.net.

“Partia Socialdemokrate fillimisht konsideron që zoti Thaçi nuk ka mandat për të negociuar në emër të Kosovës. Dhe, po ashtu, PSD rithekson se dialogu nuk mund të nisë pa një Platformë Shtetërore që duhet miratuar me 2/3 e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Si dhe, pa u dakorduar për përfaqësimin në këtë proces që duhet vendosur po ashtu me 2/3 e Kuvendit”, ka thënë për Koha.net zëdhënësja e PSD-së, Natyra Kuçi.

Ajo tha se PSD-ja ka insistuar fuqishëm për bashkëpunim opozitar që ia pamundëson Thaçit që të jetë drejtues i këtij procesi negociator.

“Për fat të keq, deri së fundi nuk kemi parë vullnet dhe gatishmëri të mjaftueshme nga pjesa tjetër e opozitës, dhe kjo u dëshmua më së miri nga mospërkrahja e rezolutës sonë për dialogun nga LDK e VV. Megjithatë, së fundi ka pasur bashkërendim opozitar për seancë dhe dakordim për rezolutë të përbashkët”, tha ajo.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës sot vlerësoi se arsyeja kryesore e dështimit të takimit të sotëm në Bruksel ka të bëjë me zhvillimet politike brenda Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj jave.

“Presioni i opozitës për miratimin e Rezolutës, përmes së cilës do të ndalej procesi i pazareve me kufijtë e Republikës së Kosovës, ka dërguar sinjal në Bruksel se z. Thaçi nuk mund të bisedojë për këtë temë”, thuhet në njoftimin për media të LDK-së.

Por kujtojmë se presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen në Bruksel, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes dy shteteve, brenda dy javësh.

Mogherini njoftoi zyrtarisht se do t’i mbledhë liderët në një takim të ri para Javës së Takimeve të Ministrave të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. E, kjo asamble nis më 18 shtator.