Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë të ditur se Kosova është duke i intensifikuar përpjekjet euro-atlantike dhe me frymën e saj paqësore është duke treguar se diversiteti është vlerë e shtuar e shoqërisë.
Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “kalimi prej fazës së përkrahjes së vazhdueshme morale dhe materiale për popullin e Kosovës nga Vatikani, në një dialog formal, siç është denominimi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, emërimet zyrtare të nivelit të lartë përfaqësuesve nga të dy palët, angazhimet e nduardurshme të përbashkëta janë tregues të avancimit të raporteve tona”.
Postimi i Haradinajt në Facebook:
“Kosova, në rrugën e vet për integrimin euro-atlantik është duke intensifikuar përpjekjet që frymën e saj paqësore, me një histori gati unike të harmonisë ndërmjet njerëzve ta promovojë në të gjitha vendet, duke treguar se diversiteti është vlerë e shtuar e shoqërisë tonë.
Është një ogur i mirë që gjithnjë e më shumë janë duke u kuptuar e pranuar virtytet tona, dhe jam i lumtur që edhe Selia e Shenjtë ka intensifikuar dialogun formal me shtetin e Kosovës.
Kalimi prej fazës së përkrahjes së vazhdueshme morale dhe materiale për popullin e Kosovës nga Vatikani, në një dialog formal, siç eshte denominimi i Dioqezës Prizren-Prishtinë, emërimet zyrtare të nivelit të lartë përfaqësuesve nga të dy palët, angazhimet e nduardurshme të përbashkëta janë tregues të avansimit të raporteve tona.
Vazhdimësia e komunikimit në cilësinë e kryeministrit të Kosovës edhe pas vizitës sime dhe takimit me Papa Françeskun, sekretarin e shtetit kardinalin Parolin, tregojnë përkushtimin e Kosovës ndaj paqes ndërmjet njerëzve brenda Kosovës, ndaj paqës në rajon dhe ndaj paqes si vlerë universale”, ka shkruar Haradinaj.