Franca mbështet perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ato duhet të anëtarësohen në Bashkimin Evropiane, kur të gjitha kriteret të jenë plotësuar, deklaroi ministri francez i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Jean-Yves Le Drian.

Qëndrimin e Le Drian e transmetoi zëdhënësja e Ministrisë franceze të Europës dhe Punëve të Jashtme, Agnes Von Der Miel, njoftoi ambasada franceze në Shkup.

“Në të njëjtën kohë, BE-ja duhet të ristrukturohet që të përmirësohet para se të ketë mundësinë që të pranojë vende të reja anëtare”, theksoi ai.

Për sa i përket hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE, ai shton se konkluzionet e Këshillit parashikojnë sërish që të analizohet situata në Shqipëri dhe në Maqedoni, në qershor të vitit 2019, në bazë të raportit të Komisionit dhe duke e pasur parasysh numrin e madh të kritereve, përfshirë edhe avancimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Ne do ta ndjekim realisht avancimin e arritur. Ka rëndësi esenciale që të ketë bashkëpunim praktik midis vendeve ballkanike dhe Bashkimit Evropian”, thekson Le Drian.