Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka komentuar vendimin e qeverisë për t’i revokuar lejen për vizitë në fshatin Banjë të Skenderajt, të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

E ka cilësuar si turp para vetes e botës për shtetin e Kosovës.

“E kthyen Vuçiqin mbrapshtë – në Mitrovicë. Ndalojnë vizitë, e lejojnë atë. E ndalojnë sërish – por tashmë veçse pjesërisht. Presidenti i një vendi armik pasi ka caktuar kufinj të rinj; pasi ka folur për resurset e Kosovës sikur ishin të tij; është ndaluar – në i thënshin ashtu – e është kthyer jo në Serbi por në Veri”, ka shkruar Abdixhiku.

Sipas tij, ndalesa tregon se ku përfundon fuqia e Kosovës; ku nisë ajo e shtetit të tij.

“Me ose pa dije – më shumë me të dyja bashkë – liderët kosovarë caktuan kufirin e ri politik. Ja, thanë, s’mund të vijë kurrë në Drenicë; le të kthehet në Mitrovicë. Dhe na jepen si triumfalistë. Çfarë disfate poshtëruese para vetes e botës; para shtetit të vet. Vizita – në gjithë Kosovën – nuk është dashur të lejohet në rend të parë asnjëherë”, ka thënë ai.