Në trotuaret dhe vendet tjera publike të destinuara për këmbësorë në Podujevë, shpeshherë janë të bllokuara edhe pas shumë aksioneve policore.
Me qëllim të krijimit të kushteve sa më të mira për këmbësorët, Policia nga sot ka shtuar numrin e tyre nëpër rrugët e qytetit të Podujevës, raporton Llapi.info.
Në lidhje me këtë Llapi.info ka kontaktuar edhe me Zëdhënësen për Informim në Stacionin Policor të Podujevës, Antigona Çitaku e cila konfirmoi se nga sot do të ketë prezencë më të shtuar të Policëve në rrugët e Podujevës.
“Është një implementim që ka filluar për lirimin e hapësirave publike. Duke e parë të nevojshme nga sot është shtuar edhe prezenca e policisë me qëllim të krijimit të qarkullimit të lirë të këmbësorëve nëpër trotuaret e rrugëve të qytetit”, tha ajo.
Kurse, në lidhje me vendosjen e barrierave për t’i parandaluar frekuentimin e automjeteve nëpër trotuare, Çitaku ka thënë se kjo është në kompetencë të drejtorive të Komunës së Podujevës.
“Ajo është në kompetencë të drejtorive të Komunës. Janë mbajtur disa takime për t’i shikuar këto module që nuk janë në përjashtim. Tani mund të ju konfirmoj se ka filluar prezenca e shtuar e policëve”, ka thënë Çitaku.
Kujtojmë, për lirimin e hapësirave publike në Podujevë janë ndërmarrë aksione të ndryshme. Muaj më parë me vendim të Drejtorisë së Inspeksionit nga trotuaret janë larguar edhe shitësit e pemëve dhe perimeve, ku edhe janë bartur në Tregun e Gjelbërt./Llapi.info