Komandanti i KFOR-it, Salvatore Cuoci, tha se misioni që ai drejton ishte i gatshëm të intervenojë gjatë vizitës së presidentit serb Aleksandar Vuçiq në Kosovë.

Ai tha për televizionin serb Prva se autoritetet e Kosovës morën vendim për mos lejimin e kreut të shtetit serb për të vizituar fshatin Banjë të Skenderajt.

Cuoci ka shpjeguar se në Kosovë, në komandën e zinxhirit komandues, KFOR-i është në vendin e tretë.

“E para është policia, e dyta EULEX dhe pastaj ne. Ishim të gatshëm të intervenojmë në të gjitha rajone, në mënyrë që presidenti të kishte mjedis të sigurt. Këtë edhe e kemi bërë, pasi gjithçka ishte në rregull, me përjashtim në fshatin Banja”, tha ai.

“Ishim të gatshëm të intervenojmë, por u mor vendim nga ana e institucioneve të Kosovës që të shmanget ajo pjesë e vizitës dhe nëse shikojmë në përgjithësi gjithçka ka kaluar në rregull”, tha kreu i KFOR-it.