Kryeministri, Ramush Haradinaj, priti në takim drejtoren e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut, Dr. Bukurije Zhubi.

Ai tha se që nga marrja e mandatit, Qeveria i ka dhënë prioritet sektorit të shëndetësisë dhe përmirësimit të gjendjes, duke theksuar se tashmë ka më shumë përkushtim dhe rezultate në shëndetësi.

Duke i quajtur mjekët heronj tanë, kryeministri tha se qeveria që drejton është e përkushtuar në vazhdimësi për përmirësimin e infrastrukturës, pajisjeve shëndetësore dhe ngritjen e cilësisë në sistemin shëndetësor.

Nga ana e saj, drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Transfuzionit të Gjakut (QKTGJ), Bukurije Zhubi, i ka ndarë kryeministrit Haradinaj mirënjohje për kontributin si dhurues i rregullt i gjakut.

Haradinaj, ka falënderuar personelin e Qendrës për mirënjohjen, duke thënë se dhurimi i gjakut është shembull i mirë i humanizmit që duhet ndjekur nga të gjithë dhe shprehu gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit si dhe ofrimin e mbështetjes për këtë qendër të rëndësishme.