Pas takimeve me presidentin e Kosovws, Hashim Thaçi dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj, senatori amerikan Ron Johnson është pritur mbrëmë në darkë pune nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.

Në këtë takim, Hoxhaj dhe Johnson kanë diskutuar për zhvillimet në Kosovë, perspektivën Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor, si dhe marrëdhëniet dhe dialogun për normalizim që po zhvillohet në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ai tha se po punohet për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë, e cila duhet të rezultojë me njohje të ndërsjellë mes dy shteteve dhe anëtarësim të Kosovës në Kombet e Bashkuara.

Përveç kësaj, Hoxhaj theksoi se marrëveshja e arritur duhet të ketë garancë të zbatimit nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Shkëmbim shumë i mirë me senatorin Ron Johnson në lidhje me zhvillimet politike, sfidat dhe perspektivën Euro-Atlantike të Ballkanit Perëndimor. Mirënjohës ndaj Shteteve të Bashkuara për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës dhe procesit të dialogut me Serbinë, proces ky i cili duhet të përfundojë me njohje të ndërsjellë dhe anëtarësim të Kosovës në OKB”, ka deklaruar Hoxhaj.