Përfaqësuesit e Luginës së Preshevës sot i kanë bërë ftesë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, që ta vizitojë Preshevën sikurse që Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiqi që vizitoi Mitrovicën. Por, Thaçi ka thënë se arsyeja se pse nuk mundet ta vizitojë është pasi që ai është i dënuar nga Serbia. Ndërsa ka treguar se asnjëherë nuk ka bërë ndonjë kërkesë për të vizituar Preshevën, pasi që e di përgjigjen e Serbisë.

“Përfaqësuesit e Preshevës dhe Bujanovcit më ftuan që të ftojë Preshevën. Por, Beogradi nuk po e sheh të arsyeshme që unë ta vizitoj dhe nuk mundem ta vizitoj pasi që jam i dënuar. Nuk kam bërë ndonjë kërkesë ndonjëherë, pasi e di përgjigjen e tyre”, ka deklaruar Thaçi në një konferencë të thirrur për media bashkë me krerët e Luginës së Preshevës.

Por, Thaçi ka thënë se liderët e tjerë dhe deputetët e vendit që nuk kanë ndonjë ndalesë nga Serbia, do të duhej ta vizitonin. Por, siç thotë ai jo për të krijuar konfuzion.

“E di që kanë halle e kanë shqetësime, dhe janë komuniteti më i diskriminuar. Nuk po mund ta vizitojmë Preshevën pasi që jemi të ndjekur e të dënuar nga Serbia. Ata që mund ta vizitojnë duhet të shkojnë në Preshevë, dhe duhet të shkojnë më shpesh por jo për të shtuar konfuzione. Disa liderë duhet të shkojnë më shpesh në Preshevë, pasi që ata kanë nevojë t’i dëgjojnë”, deklaroi ai.