Gjykata e Gjakovës ka shpallur fajtorë Kristian dhe Domenik Prenkajn, të akuzuar për veprën penale të lëndimit të lehtë trupor.
Prenkajt akuzohen se i kanë shkaktuar lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të dëmtuarit Muharrem Hoti.

Gjykata i dënoi dy të akuzuarit me gjobë prej 200 euro secili.

Kristian e Domenik Prenkaj e pranuan fajin para gjyqtares Ilirjana Hoti dhe i kërkuan falje të dëmtuarit.

“Ne jemi pajtuar mes vete sepse kemi qenë shokë dhe prapë e kemi vazhduar shoqërinë”, thanë dy të akuzuarit.

Ndërsa i dëmtuari Muharrem Hoti nuk kërkoi nga Gjykata që t’i kompensohet dëmi.

Prokurori i çështjes, Bajram Kryeziu, nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës, në maj të vitit të kaluar, të pandehurit në oborrin e shkollës së mesme “Nexhmedin Nixha” në Gjakovë i kanë shkaktuar lëndime të lehta Muharrem Hotit.

Aktakuza shpjegon se si pasojë e mosmarrëveshjeve paraprake, i dëmtuari Muharrem ia merr hua 5 euro të pandehurit Domenik, ndërsa dy të pandehurit si kundërvlerë i kërkojnë shumën prej 100 euro.

Më pas i pandehuri Domenik e godet më boks ndërsa i pandehuri Kristian tenton ta godet me thikë dhe i njëjti përfundon duke ia gërvishtur duart dhe barkun.

Me këto veprime kanë kryer veprën penale ne bashkëkryerje të lëndimit të lehtë trupor./kallxo.com/