Ministri i Brendshëm serb, Nebojsha Stefanoviq, ka deklaruar sot se ai do t’i bëjë thirrje Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit që Kosova mos të anëtarësohet në këtë organizatë.
Stefanoviq në një konferencë për media gjatë ditës së sotme ka thënë se i ka dorëzuar kreut të INTERPOL-it, Meng HongWei, fakte me shkrim se pse sipas tij Kosova nuk duhet të fitojë anëtarësimin.
Sa i përket kësaj çështje, zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Isa Xhemajlaj për lajmi.net thotë se gjithçka është gati dhe se gjatë kësaj kohe janë përgatitur që të sigurojnë vota tek shtetet që janë më pak të besueshme, pasi që ato nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.
“Mendoj që kemi gjetë një përkrahje të mirë , kemi arritur t’i nxisim të votojnë disa shtete të cilat mund të jenë kundër anëtarësimit të Kosovës në Interpol. Është një procedurë për pranim në Interpol që edhe shtetet që apstenojnë llogariten si pozitive. Gjatë kësaj kohe fokusi ynë kryesor kanë qenë tek ato shtete që nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur. Ato kanë të drejtë të votojnë dhe nëse apstenojnë do të jetë ndihmesë e madhe nga ana e tyre sepse llogaritet si votë pozitive .Shpresoj që deri në nëntor të sigurohemi që të marrim votat e nevojshme për pranim të Kosovës në Interpol”’, ka thënë Xhemajlaj.
Tutje, Xhemajlaj thotë se kanë marrë përkrahje nga Gjermania dhe nga shtete të tjera të mëdha të evropës.
“Në anën tjetër, kemi përkrahje nga Gjermania dhe disa shtete të tjera të mëdha të evropës”, përfundon zëvendësministri Xhemajlaj.
Kujtojmë se aplikacioni për anëtarësim i Kosovës është përfshirë në draftin e axhendës së përkohshme të sesionit të 87 të Asamblesë së Përgjithshme të Interpolit, i cili sipas njoftimeve të mëparshme mbahet në Emiratet e Bashkuara Arabe në nëntor.
Të anëtarësuara në INTERPOL janë gjithësej 192 shtete.