Në Kuvendin Komunal të Podujevës, është mbajtur seancë e jashtëzakonshme, ku në pikë të rendit të ditës u diskutua zvarritja e punimeve në magjistralen Prishtinë-Podujevë, njofton Llapi.info.
Mirëpo, në këtë seancë, partitë patën qëndrime të ndryshme.
Iniciuesi i kësaj seance, Arbër Blaku nga PDK tha se nga këto punime probleme të shumta po kanë qytetarët të cilët frekuentojnë atë pjesë.
“Nga zvarritja e punimeve po krijohen kolona të gjata, nga këto punime po ka edhe prishje të makinave. Madje, po dëmtohen edhe bizneset. Prandaj, kërkoj që të formohet në kuvend një Komision që të flas me Ministrin e Infrastrukturës për neglizhencën e punimeve”, tha Blaku.
Mirëpo, këtë qëndrim nuk e përkrahi LVV. Shefi i grupit të VV-së, Fitim Haziri, tha se vetmja mënyrë për t’i ndalur punimet është me anë të protestave.
“Gjendja e tillë nuk është vetëm tash. Llapi në këtë gjendje vazhdon të jetë e që nga paslufta. Ne LVV nuk pranojmë që të krijohet komisioni. Zgjidhja e vetme është që të gjithë qytetarët me anë të protestës t’i tregojmë Qeverisë se Llapi nuk pranon që të diskriminohet”, tha Haziri.
Të njëjtin mendim e shprehi edhe asamblisti i po kësaj dege, Bajram Ajeti.
Sipas tij, në punimet e kësaj rruge që kanë filluar që dy vjet, nuk ka seriozitet.
Kurse, shefi i grupit parlamentar i PDK-së, Rafet Llapashtica e kundërshtoi këtë propozim të Vetëvendosjes, pasi që sipas tij, nuk është zgjidhja e duhur.
Në anën tjetër, Avni Fetahu, nga LDK tha se duke e mbështetur këtë seancë, të krijohet një komision për të biseduar në lidhje me punimet pasi që sipas tij, ka neglizhencë.
Të krijohet komision kërkoi edhe Drejtori i Urbanizmit në Komunën e Podujevës, Hamdi Jaha.
Propozimet e ndryshme të dhëna nga partitë në Kuvendin Komunal, ka shtyrë kryesuesin e seancën, Fatmir Gashi, që të ndalet debati në pazuzë prej 10 minutash, në mënyrë që shefat e grupeve parlamentare të dalin me një deklaratë të përbashkët.
Pas pushimet prej 10 minutash, nga propozimet e dhëna nga shefat e grupeve parlamentare u morr vendim që projekti i rrugës magjistrale Prishtinë-Podujevë, nga Ministria e Infrastrukturës t’i dërgohet Komunës së Podujevës.
“Mbet projekti i rrugës dhe plani t’i dërgohet tek Drejtori i Urbanizmit e po ashtu edhe tek shefat e grupeve”, tha Rafet Llapashtica, ku me ç’rast edhe u mbyll diskutimi derisa të shikohet projekti./Llapi.info