Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pas takimit me presidentin shqiptar dhe atë malazez, sot ka takuar edhe kryeministrin maqedonas, Zoran Zaev, të cilin e ka siguruar se çdo marrëveshje që arrihet në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë substancën evropiane.
Thaçi i ka thënë Zaevit se nuk do të bëhet asnjë marrëveshje që i cenon miqtë tanë, as Maqedoninë, as Shqipërinë, as Malin e Zi dhe asnjë vend tjetër, por do jetë një marrëveshje e koordinuar në plotni, ashtu siç po koordinohet edhe Maqedonia me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë.
Kjo ishte fjala hyrëse e Thaçit në konferencën e përbashkët me Zaevin:
“Faleminderit shumë i nderuar kryeministër Zaev, miku im Zoran.
Ne zhvilluam një takim të shkëlqyer me kryeministrin Zaev. Kosova dhe Maqedonia nuk e kanë asnjë çështje të hapur. Përkundrazi, janë si dy shtete mike me një bashkëpunim të shkëlqyer në të gjitha sferat institucionale. Janë jashtëzakonisht të rëndësishme reformat demokratike që po i bënë edhe Kosova, edhe Maqedonia në rrugëtimin e tyre euroatlantikë.
Të dy qeveritë, edhe Maqedonisë, edhe Kosovës, po bëjnë hapa të rëndësishëm edhe të bashkëpunimit bilateral në shumë sfera, në veçanti ato që përmendi edhe kryeministri. Reforma të rëndësishme të cilat do jenë në interes të vendeve tona, të popujve tanë, të zhvillimit ekonomik, të krijimit të vendeve të reja të punës, të rritjes së mirëqenies sociale të qytetarëve.
Ishte inkurajues fakti që dëgjova nga kryeministri Zaev dhe partnerët e tij, që tash kur jemi në fazën përmbyllëse të autostradës Prishtinë-Shkup, edhe Qeveria e Maqedonisë ka marrë vendim që ky proces të filloj nga kufiri i Kosovës në drejtim të Shkupit dhe të përmbyllet në plotni kjo autostradë, e cila do t’ia lehtësojë njerëzve nga Maqedonia, nga Kosova, të lëvizin lirshëm dhe që me të vërtetë të kemi një standard dhe një hapësirë evropiane të vendeve tona.
Kjo është në të mirën e të gjithë njerëzve, pa dallim dhe në kuptimin e mëhershëm edhe të lëvizjeve apo pikave kufitare dhe doganore.
Gjithashtu, jam sot këtu për t’u takuar me kryeministrin, për të inkurajuar dhe për të përshëndetur angazhimet e tij si burrështetas së bashku me kryeministrin e Greqisë, Tsipras, për zgjidhjen e çështjes së emrit.
Mendoj se është vendimi më i drejtë i mundshëm dhe ne të gjithë si liderë e kemi obligim të mendojmë më tepër për vendin, se sa për momentume populiste apo elektorale.
E ardhmja jonë, edhe e Kosovës, edhe e Maqedonisë, edhe e krejt rajonit synojmë që të jetë në NATO dhe Bashkim Evropian. Prandaj, Kosova ju inkurajon i nderuari kryeministër, ju jep mbështetje të plotë juve dhe të gjithë partnerëve tuaj në Maqedoni që të lëvizni përpara drejtë anëtarësimit në NATO dhe të ardhmen evropiane. Ftoj me autoritetin tim modest në emër të Kosovës, si një vend fqinjë me Maqedoninë, të gjithë njerëzit, qytetarët e Maqedonisë, pa dallim që të participojnë në referendum dhe natyrisht të votojnë pro.
Maqedonia në NATO është më tepër paqe për krejt rajonin, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.
Kështu që, është një momentum historik që duhet të shfrytëzohet.
Gjithashtu, i nderuari kryeministër, ne diskutuam edhe në takimin tonë bilateral, pasi që ju veç përmbyllët marrëveshjen me Greqinë, tash ka mbet radha e Kosovës dhe Serbisë që të përmbyllin procesin e dialogut, negociatave dhe arritjen e një marrëveshjeje historike dhe paqësore.
U jam mirënjohës për mbështetjen e këtij procesi. Ju e dini, nuk do të jetë e lehtë që të arrihet një marrëveshje historike përfundimtare e paqes, që nënkupton njohjen reciproke Kosovë-Serbi. Por, është rruga e vetme dialogu, negociatat dhe marrëveshja që Kosova të lëvizë sa më shpejt drejtë perspektivës euroatlantike, por edhe Serbia drejtë perspektivës evropiane dhe që definitivisht të kemi një hapësirë evropiane të standardeve dhe shpirtit euroatlantik.
Marrëveshja do të jetë shumë e vështirë për t’u arritur, me plot vështirësi, plot pengesa. Por, unë jam optimist se më mirë ta kryejmë tash këtë marrëveshje, sesa pas një dekade apo dy dekadash. Ne nuk kemi të drejtë të mbajmë peng të ardhmen e fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve tanë, gjeneratave të reja.
Kështu që, do të bëjmë përpjekjet maksimale që të arrijmë këtë marrëveshje historike Kosovë-Serbi, që nënkupton njohje reciproke dhe të ardhme euroatlantike për Kosovën, për Serbinë, për rajonin.
Unë kam qenë ditë më parë edhe në Shqipëri, kam diskutuar edhe me presidentin Meta, gjithashtu edhe dje me presidentin malazez, Gjukanoviq. Në kuadër të kësaj, kam dashur që të diskutoj edhe me ju dhe t’ju siguroj se çdo marrëveshje e arritur në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ketë substancën evropiane, do ta ketë shpirtin evropian dhe që do jetë në interes edhe të Kosovës, edhe të Serbisë, në interes të popujve tanë dhe ta ruajmë substancën, ta ruajmë multietnicitetin. Nuk duhet të ketë zgjidhje në baza etnike. Gjithashtu, të jeni të sigurt se çdo marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, do të jetë një marrëveshje që ju do të ndiheni komod, do të ndiheni mirë dhe njerëzit do të jenë mbështetës të këtij procesi. Nuk do të bëjmë asnjë marrëveshje që i cenon miqtë tanë, as Maqedoninë, as Shqipërinë, as Malin e Zi, e asnjë vend tjetër, por do jetë një marrëveshje e koordinuar në plotni ashtu siç po veproni edhe ju me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe të gjithë miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, ka thënë Thaçi.