Lëvizja Vetëvendosje e Podujevës ka kërkuar që vetëm me protesta e jo me komision, t’i drejtohet Ministrisë së Infrastrukturës për zvarritjen e punimeve në rrugën nacionale Prishtinë-Podujevë, njofton Llapi.info.

Shefi i Grupit parlamentar i LVV, Fitim Haziri, potencoi se Podujeva ka qenë e diskriminuar sipas tij, që nga paslufta nga të gjitha qeveritë.

“Gjendja e tillë nuk është vetëm tash, kjo gjendje ka qenë që nga paslufta Llapi është diskriminuar nga qeveritë të udhëhequra nga PDK e LDK. Të gjitha fabrikat që kanë ekzistuar në Podujevë janë shitur po nga kjo qeveri. LVV nuk pranon që të formohet një komision që së bashku të shkojmë tek Ministri i Infrastrukturës që të ndikojmë për këto punime. Zgjidhja e vetme karshi këtij diskriminimi është mobilizimi i të gjithë qytetarëve llapjanë, që të protestojnë që t’iu bëhet me dije se Llapi nuk pranon të diskriminohet më”, ka thënë ai.

Mirëpo, me këtë qëndrim nuk u pajtuan partitë tjera në Kuvendin Komunal. Kësisoj, Rafet Llapashtica në emër të PDK-së tha se e përkrahë çdo nismë institucionale që ndikon në rritjen e dinamikës së punimeve, duke mos parë si zgjidhje protestën.

Kundër propozimit të LVV për protestë dolën edhe partitë tjera. Sipas tyre, formimi i një komisioni është zgjidhja e duhur që t’u adresohet Ministrisë së Infrastrukturës.

“Ka neglizhencë në këto punime. Andaj duhet të krijohet një komision dhe t’i drejtohet kësaj Ministrie”, tha Avni Fetahu nga LDK.

Ndërsa, Patriot Rudari nga AAK-ja ka kritikuar Komunën e Podujevës për mos bashkëpunim me Ministrinë.

Megjithatë, pas një konsulte shefat e grupeve të këshilltarëve në Kuvend u dakorduan që drejtori i Planifikimit Urban dhe Mbrojtje të Mjedisit, Hamdi Jaha, nga Ministria e Infrastrukturës të marr projektin e zgjerimit të rrugës nacionale Podujevë – Prishtinë dhe të njëjtin t’ua shpërndajë shefave të grupeve të këshilltarëve./Llapi.info