“Fëmijët e Prizrenit janë me fat që e kanë një shkollë si Loyola dhe duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi” Kështu tha Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, pas një vizite pune që i bëri gjimnazit “Loyola” dhe ku u prezantua projekti i ri “Shkolla e Lartë Profesionale ‘Loyola”, projekt ky që domen ka fushën mekatronike dhe i cili parashihet të jetë pjesë e Parkut Inovativ Trajnues në Prizren.
Kryeministri Haradinaj, me këtë rast, tha se projekti i një Shkolle të Lartë në Kosovë është një ngjarje e re, është koncept real i jetës, i tregut dhe se ka besim në gjimnazin “Loyola” për angazhimin e saj në arsim për të rinjtë kosovarë.
“Ky është investimi më i mirë që mund të bëjmë, është shkollimi i duhur dhe cilësorë i fëmijëve tanë dhe ky është edhe orientimi ynë si Qeveri, për arsimimin e të rinjve tanë. Çdo përpjekje që e ofron këtë, do të marrë mbështetjen institucionale” ka shtuar Kryeministri Haradinaj duke shprehur përkushtimin e tij dhe të Qeverisë së Kosovës që t’i ndihmojnë këtij institucioni arsimor.
“Qëllimi është që të aftësohen të rinjtë tanë për tregun e punës, që të avancojnë si në shtete tjera të zhvilluara, si Gjermani, Austri apo diku tjetër”, tha kryeministri Haradinaj duke vlerësuar faktin se si kjo shkollë me mësimdhënës kosovarë dhe nxënës kosovarë ka sukses të jashtëzakonshëm në arsimimin e të rinjve tanë.
Duke pasur rastin të shohë nga afër planet e kësaj shkolle në projektin e ri për Shkollën e Lartë Profesionale “Loyola” brenda Parkut Inovativ dhe Trajnues ne Prizren, kryeministri Haradinaj tha se një institucion i tillë, do ta ketë mbështetjen e pa rezervë të të gjitha institucioneve, në mënyrë që projekte të tilla me këtë synim të ketë edhe më shumë në të ardhmen.
“Ky është modeli që duhet ndjekur”, tha kryeministri Haradinaj.
Gjatë prezantimit të projektit për shkollën e re janë paraqitur udhëzimet se si kjo shkollë mekatronike mund të funksionojë në mënyrën më të mirë, duke iu përshtatur tregut të punës, arritja e së cilës mund të bëhet përmes lidhjes nxënës-shkollë-kompani.
Pjesë e prezantimit ishin edhe kompani kosovare të cilat paraqiten nevojat e tyre konkrete për punësim.
Në ceremoni ishin prezent ministri i Financave të Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, drejtori i Doganës, Bahri Berisha,ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, ambasadori austriak, Gernot Pfandler, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, Kryetari i Komunës së Prizrenit Mytaher Haskuka si dhe përfaqësues tjerë institucionalë dhe të Odave Ekonomike.