Të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar të cilat deri më tash janë ngrohur me thëngjill duhet të gjejnë alternativa të tjera për ngrohje. Këtë vendim e ka marr para pak javësh Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT).
Sipas tyre, tani e tutje nuk mund të përdoret kjo lëndë djegëse, me qëllim të zvogëlimit të ndotjes së ajrit në ambiente të institucioneve arsimore.
Por, një gjendje e tillë tashmë do t’ua shtojë edhe më shumë barrën shkollave, të cilat duhet të gjejnë alternativa të tjera për ngrohje gjatë ditëve të ftohta të dimrit.
Shefi i Zyrës për Informim pranë Komunës së Podujevës, Nazmi Elezi për “Indeksonline”, ka treguar se brenda një viti shkollor kjo komunë shpenzon rreth 100.000 euro për furnizim me dru dhe rreth 25.000 euro për furnizim me pelet. Të dyja këto lëndë djegëse që përdoren në zëvendësim të thëngjillit.
“Gjatë sezonit të dimrit për ngrohje në shkolla shfrytëzohen drutë dhe peleti. Brenda një viti shkollor Komuna shpenzon rreth 100,000 euro për furnizim me dru dhe rreth 25,000 euro për furnizim me pelet” ka thënë Elezi për “Indeksonline”.
Por, zyrtarë nga Komuna e Prishtinës nuk kanë treguar shumën e cila pritet të shpenzohet për ngrohje gjatë sezonit dimëror. Sipas tyre, pothuajse të gjitha shkollat në këtë komunë janë të lidhura me rrjetin e ngrohjes “Termokos”, por ka edhe prej tyre që do të shfrytëzojnë peletin, drurin apo naftën.
“Kryeqyteti ka 87 objekte shkollore, dhe asnjëra prej tyre nuk ngrohet me qymyr. Ka vite që kemi ndërmarrë hapa konkret në këtë drejtim, dhe të gjitha shkollat e kanë tashmë sistemin e brendshëm të ngrohjes. Disa janë të lidhura me Termokos, disa të tjera ngrohen përmes kaldajave që si lëndë djegëse shfrytëzojnë peletin, drurin apo naftën” kanë thënë zyrtar nga Komuna e Prishtinës.
Peleti dhe drutë do të jenë opsioni i vetëm për ngrohje edhe për shkollat në Komunën e Prizrenit dhe Gjilanit, ndonëse nuk kanë treguar shumën që pritet të shpenzohet. Sipas përgjigjeve të këtyre komunave për “Indeksonline”, buxheti është i mjaftueshëm për të përballuar këtë kërkesë të MASHT.
Ndryshe, këshilltari në MASHT, Valmir Gashi ka thënë se secila komunë e Kosovës duhet të gjejë alternativat për ngrohje që do të përjashtonin thëngjillin.
“Ndërsa, sa i përket vendimit te ministrit Bytyqi për ndalimin e përdorimit te thëngjillit për ngrohje ne shkolla, janë komunat ato të cilat e kanë për detyrë të gjejnë alternativa tjera për ngrohjen e shkollave, sepse është kompetence e tyre për të siguruar ngrohje nëpër shkolla.” është shprehur Gashi për “Indeksonline”.
Por sipas tij, nëse ndonjë nga komunat do të bënte kërkesë të tillë, MASHT do të jap kontributin e saj brenda mundësive dhe kornizave ligjore. Por Elezi ka theksuar se një kërkesë e tillë nuk është bërë nga asnjë nga komunat deri më tash.