Kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se marrëveshja me Kosovën nuk është e mundur pa një pako gjithëpërfshirëse, transmeton Koha.net.

“Nuk jam optimist lidhur me marrëveshjen. Nëse mendoni se marrëveshja është e mundshme pa pakon gjithëpërfshirëse, pa ndihmën shtesë ekonomike, rritjen e shpejtë e dramatike në të gjitha fushat në Serbi, pra pa pako gjithëpërfshirëse që ka të bëjë me të ardhmen tonë, as që më shkon ndër mend t’iu flas për marrëveshje”, citon agjencia e lajmeve beta të ketë thënë Vuçiq.

Ai ka shtuar se mendon që Serbia e ka të mirë platformën e vet.

“Para së gjithash është i rëndësishëm interesi i popullit tonë në Kosovë. A është ai real pa pakon gjithëpërfshirëse, nuk është pasi Serbia s’e do pa pako”, ka thënë Vuçiqi.

Më herët Vuçiqi për Reuters kishte thënë se për marrëveshje (me Kosovën) është e domosdoshme që Serbia të marrë garanci për hyrje në Bashkimin Evropian.