Krijimi i ushtrisë së Kosovës po konsiderohet si mision vështirë i realizueshëm, pasi që votimi i Pakos së Ligjeve për Ushtrinë nga Qeveria e Kosovës është bërë pa përkrahjen e faktorit ndërkombëtar.
Përfaqësuesit e opozitës shprehen tejet skeptikë nëse nisma e Haradinajt mund të shkojë deri në fund, pikërisht pasi sipas tyre qëndrimi i ndërkombëtarëve nuk ka ndryshuar.
Pavarësisht kësaj, zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rexhep Selimi (nga LVV), ka thënë se çështja e ushtrisë ende është te Qeveria e Kosovës, pasi sipas tij kjo çështje nuk është sjellë asnjëherë në Kuvend përgjatë viteve.
“Çështja nuk është te Parlamenti tash, çështja është te Qeveria, e cila po vazhdon me të njëjtën formë sikur edhe qeveritë e mëhershme. Por sido që të jetë, nëse këta e kanë vërtet përnjëmend le ta sjellin në Kuvend, aty e themi fjalën tonë”, ka deklaruar Selimi për “Zërin”.
Sipas tij, duke u nisur nga rrethanat ekzistuese iniciativa e Haradinajt për bërjen e ushtrisë mund të dështojë, siç kishin dështuar edhe shumë iniciativa të tjera në të kaluarën.
“Duke e ditur që qasja e partnerëve ndërkombëtarë është e njëjta, duke e ditur që rrethanat politike nuk kanë ndryshuar, duke e ditur që raporti i forcave politike është i njëjtë mund ta ketë fatin e njëjtë edhe kjo nismë tashmë e Haradinajt”, ka potencuar ai.
Pavarësisht këtyre, deputeti i LVV-së ka thënë se ky subjekt do të votojë çfarëdo ndryshimi, qoftë ligjor ose kushtetues, lidhur me bërjen ushtrinë, në momentin që ai ndryshim shkon në Parlamentin e Kosovës.
“Kurdo, cilado qeveri që sjell në seancë ndryshimet kushtetuese për shndërrimin e FSK-së në Forca të Armatosura ose edhe ndryshimet ligjore për avancimin e misionit të FSK-së në mision ushtarak ne do ta mbështesim. Por çfarë kanë bërë që nga 2014-a deri më sot, të gjitha qeveritë pa përjashtim e kanë përdorur çështjen e FSK-së si pingpong. Herë në Parlament, herë në Qeveri. Deri më tani asnjëherë nuk e kanë sjellë që të na pyesin, pastaj se si do të votojmë”, ka nënvizuar ai.
Ndërkohë ka konsideruar se tema e ushtrisë së Kosovës për të disatën herë po keqpërdoret për të mbuluar tema të tjera, si temë shumë e ndjeshme dhe e pritshme prej opinionit.
“Për të manifestuar se gjoja Qeveria e Kosovës po merret edhe me këto punë. Kështu pati bërë Thaçi, kështu po bën edhe Haradinaj. Ashtu sikur ka bërë Thaçi në të kaluarën po duket se do të bëjë edhe Haradinaj në të tashmen, por prapëseprapë nëse e kanë përnjëmend le ta sjellin në Kuvend”, është shprehur ai.