Vera e këtij viti ishte karakterizuar me pritje e kolona të gjata nëpër pikat kufitare në hyrje dhe dalje të Kosovës.
Madje, nganjëherë ato shkonin deri në mbi pesë orë pritje në Merdare, shkruan lajmi.net.
E me përfundimin e sezonës së verës, siç duket edhe fluksi i njerëzve të cilët hyjnë e dalin nëpër pikat kufitare ka rënë.
Kështu, sipas të dhënave të Qendrës për Menaxhimin Kufitar, pritjet tani në Merdare arrijnë deri në 10 minuta për të dalë nga territori i vendit.
Aty janë krijuar kolona deri në 30 metra.
Kolona deri në 70 metra janë krijuar në pikën kufitare që lidh Kosovën me Maqedoninë, atë të Hanit të Elezit.
Megjithatë, aty për të dalë nga territori i vendit nuk duhet të pritet më shumë se 10 minuta.
E gjendje e tillë është edhe nëpër pikat tjera kufitare, ku pritjet askund nuk kalojnë 10 minutëshin.
MPB po ashtu njofton se kryesisht pritje po shkaktohen në dalje të territorit të vendit.
Kohë më parë, Ministria e Brendshme kishte fajësuar edhe palën serbe për pritjet që po shkaktohen për bashkëatdhetarët.