Puna prej së cilës e sigurojnë bukën, për pak sa nuk ua mori jetën. Katër punëtorët e kompanisë së ndërtimit “Nderimi” në Ferizaj, ranë nga objekti ku ishin duke punuar, në një lartësi prej tetë metrash. Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi, i ka thënë Gazetës Express se ata kanë rënë në hapësirën që ishte e dedikuar për ashensor. Në kompaninë ku ata janë të punësuar kanë deklaruar se të gjithë ishin me kontrata pune, e në momentin e rrëzimit ishin me pajisje mbrojtëse, shkruan Express
Ishin nisur sikurse çdo mëngjes tjetër për në punë. Por, ende pa përfunduar orarin, katër punëtorët e kompanisë së ndërtimit “Nderimi”, në Ferizaj, mbrëmjen e së shtunës u shtruan nëpër spitalet e vendit.
N.Q, B.H, A.O dhe A.Z ranë nga objekti ku po punonin në një lartësi prej 8 metrash. Për pasojë morën lëndime të rënda trupore. E gjithë ngjarja ndodhi në vend punishten e kompanisë, derisa thuhet se ata kanë rënë në hapësirën që ishte e dedikuar për lift.
Kështu ka deklaruar për Gazetën Express Kryeinspektori i Punës, Basri Ibrahimi.
Ibrahimi ka deklaruar se punëtorët kanë rënë nga lartësia në hapësirën e liftit, gjersa tregon se rasti ka ndodhur në vend punishten e kompanisë N.N. ”Nderimi”, në Ferizaj.
“Me datë 15.08.2018 ka ndodhur një aksident në vendin e punës, me këtë rast janë lënduar katër punëtorë, në vend punishte të kompanisë N.N. “NDERIMI” në rr. ”Rexhep Bislimi”, në Ferizaj”, ka thënë Ibrahimi.
Por, ende nuk e di se çfarë lëndimesh kanë marrë. Thotë se për këtë duhet të pritet raporti i mjekut.
“Punëtorët e lënduar janë: N.Q, B.H, A.O dhe A.Z. Punëtorët kanë rënë nga lartësia në hapësirën e liftit. Se çfarë lëndimesh kanë marrë, duhet të pritet raporti i mjekut”, ka thënë Kryeinspektori Ibrahimi”, ka thënë ai.
Gazeta Express ka tentuar gjatë tërë ditës që të kontaktojë me Basri Lenjanin nga Emergjenca për të marrë informacione rreth gjendjes së pacientëve, por ai nuk iu është përgjigjur thirrjeve të gazetës.
Ndërkohë, se punëtorët kanë rënë nga kjo lartësi dhe se rasti ka ndodhur në vendpunishten e kësaj kompanie, këtë e pranojnë vetë zyrtarë të kompanisë.
Një prej zyrtarëve të kompanisë “Nderimi”, i ka thënë Gazetës Express se aktualisht gjendja e punëtorëve është shumë e mirë. Deklarojnë se që të gjithë janë me kontrata të punës, dhe në momentin e rrëzimit ishin me mjete mbrojtëse.
“Po, punëtorët kanë qenë nga kompania jonë. Tash janë shumë mirë. Kanë qenë më kontrata pune, dhe kanë pas pajisje mbrojtëse. Njëri prej tyre ka qenë vëllai im, por tash gjendja e tyre është e mire”, kanë thënë nga kjo kompani për Express.
Rastin për Express e ka konfirmuar Agim Gashi nga policia rajonale e Ferizajt.