Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka njoftuar se para disa javësh ka ndërmarrë disa veprime hetimore ndaj zyrtarit policor (rreshter në Stacionin Policor Qendra) në Prishtinë, me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit “.
Sipas IPK-së, hetimi ka qenë duke u zhvilluar në koordinim të plotë me prokurorin kompetent të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Si rezultat i veprimeve hetimore, dje (17.09.2018) hetuesit e IPK-së me autorizim të Prokurorisë Themelore në Prishtinë kanë arrestuar këtë zyrtar policor me dyshimin se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar’ (të paraparë me nenin 422 të Kodit Penal të Kosovës).Të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë nga prokurori kompetent”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, si thuhet tutje në njoftim, ndaj të njëjtit IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës, masën e suspendimit i cili rekomandim është zbatuar nga ana e policisë.