Problemet në sistemin e ngrohjes/ftohjes në objektin e ri të Komunës së Podujevës po e zvarrisin transferimin e administratës komunale aty.

Edhe pse është bërë pranimi i përkohshëm teknik i kësaj ndërtese, zyrtarët komunalë kanë thënë se nuk mund të fillojnë punën aty pa u evituar ato probleme, shkruan sot “Koha Ditore”.

Drejtori i Administratës, Gëzim Namani, nëpërmjet Zyrës për informim ka thënë se këto çështje janë përgjegjësi e palëve kontraktuese, në këtë rast Komisionit Evropian që e financon këtë projekt dhe kompanisë punëkryerëse.

“Objekti i ri i Komunës është donacion nga Komisioni Evropian. Komuna nuk është palë kontraktuese, por vetëm përfituese e ndërtesës, kurse palë kontraktuese janë Komisioni Evropian dhe punëkryerësi, në këtë rast kompania ‘Alba Construction’ nga Tirana. Të gjitha punët dhe riparimet që duhet të bëhen janë përgjegjësi vetëm e palëve kontraktuese.

Vendosja në objektin e ri nuk ka ndodhur për shkak të disa defekteve që kanë ndodhur në sistemin e klimatizimit (ngrohje/ftohjes), gjegjësisht shpërthimit të gypave të ujit”, ka thënë Gëzim Namani.

Sipas tij, Administrata kishte planifikuar që të fillonin vendosjen në objekt të ri më 1 korrik 2018, por për shkak të këtyre defekteve/avarive të ndodhura dhe nevojës së riparimit të tyre kjo nuk ka qenë e mundur.