Gjatë vizitës zyrtare në Çeki, Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha është pritur në takim nga Tomáš Petříček – Zëvendësministër i Jashtëm i cili sapo është nominuar për Ministër të Jashtëm nga partia e tij.
Në këtë takim, Hoxha ka kërkuar përkrahje nga Çekia për liberalizimin e vizave.
Ajo ka theksuar se reformat e kërkuara me Agjendën Evropiane, Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si dhe reformat tjera ekonomike, janë punë intensive e institucioneve të Kosovës.
Çekia, në historinë e re, ka dëshmuar se është përkrahëse e zhvillimeve pozitive në Kosovë dhe rajon, theksoi Ministrja Hoxha, duke cekur se pret përkrahje edhe në hapin final, vendimin përkrahës për liberalizim nga mbledhja e Këshillit të ministrave, për heqjen e kufizimit të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës.
Petříček mirëpriti angazhimin e Ministres Hoxha duke ofruar mbështetje për Kosovën dhe procesin integrues të saj.
Ai theksoi se zgjerimi i Ballkanit perëndimor dhe në veçanti integrimi evropian i Kosovës është prioritet për Republikën çeke dhe Kosova do ta ketë mbështetjen e Çekisë në proceset e rëndësishme për vendin.
Hoxha po ashtu vuri në dukje se perspektiva evropiane për qytetarët e Kosovës duhet të konfirmohet sa më parë nëpërmjet liberalizimit të vizave, si vendim i vetëm i drejtë, pas rekomandimit pozitiv nga Komisioni Evropian u cili ka konfirmuar se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret.