Kryetari i OVL UÇK-së, Hysni Gucati ka folur sot përsëri për publikimin e listave të veteranëve të cilët prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm.
Në një konferencë për media gjatë ditës së sotme, Gucati ka thënë se mënyra që ka zgjedhur Prokuroria Speciale për verifikimin e veteranëve nuk qon drejt një zgjidhjeje efikase, pasi që sipas tij një gjë e tillë mund të shkaktoj kaos juridik.

Ai tutje ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës formimin e një komisioni për rivlerësimin e këtij procesi.

“Mënyra që ka zgjedhur Prokuroria Speciale nuk çon drejt një zgjidhjeje efikase, por mund të shkaktojë një kaos juridik. Ne kërkojmë nga Qeveria e Kosovës rivlerësimin e këtij procesi përmes një komisioni, kjo gjë do lironte edhe prokurorinë nga angazhimi”, ka thënë ai.

Tutje, Gucati ka thënë se në mbledhjen e sotme të kryesisë së OVL-së është marrë vendim që veteranët mos të ndërmarrin asnjë veprim deri në deri në një qëndrim tjetër të kësaj organizate.

Madje i pyetur për numrin e përgjithshëm të aplikacioneve të shqyrtuara nga prokuroria e Kosovës, Gucati ka thënë se Prokuroria ka gënjyer ngase sipas tij nuk kanë qenë 80 mijë aplikacione por 65 mijë.

Kujtojmë se Lajmi.net këto ditë ka publikuar veteranët e UÇK-së nga të gjitha zonat, të cilët prokuroria ka cilësuar se kanë përfituar jashtëligjshëm pensione.