Bashkë me eshtrat e Ahmet Krasniqit në Kosovë është rikthyer edhe misteri për vrasjen e tij. E zgjidhjen e këtij misteri, ndihmës ministri i Ahmet Krasniqit, Muhamet Kajolli, thotë se e di shteti shqiptar.
Në një prononcim për Gazetën Express, Kajolli, ka thënë se shteti shqiptar është edhe përgjegjës për vrasjen Ahmet Krasniqit në natën e 21 shtatorit të vitit 1998 në Tiranë,
“Absolutisht vrasja e tij duhet të zbardhet. Po, përgjegjës kryesor është qeveria e shtetit shqiptar, nuk ka logjik që ata nuk e dinë. Personalisht që po, duhet ta dinë”, ka thënë ai.
I pyetur rreth akuzave që ish-deputeti i LDK-së, Gani Geci, ka bërë në drejtim të Thaçit si urdhërdhënës për vrasjen, Kanjolli ka thënë se nuk di asgjë rreth atyre deklarimeve.
“Sa i përket deklarimeve të Ganisë, se çfarë ai deklaron. Unë fare nuk jam në ato rrjedha, nuk e di, çfarë dinë ai , ai do të dalë vetë para Gjykatës, ai tha që do të dalë e do të dëshmojë, se çfarë ka ai, unë nuk e di fare” është shprehur ndihmësministri i Ahmet Krasniqit.
Kajolli thotë se kishte pasur raporte shumë të mira me Ahmet Krasniqin, duke e ndarë së bashku çdo shqetësim.
Ai tregon se kishin diskutuar për çfarëdo problemi që ishte paraqitur atë botë rreth ushtrisë.
“Unë kam qenë ndihmës ministër për botën Islame. Raportet kanë qenë aq sa na u kanë leju neve, sa herë që ushtria jonë ka pasur nevojë për diçka dhe është shqetësuar kemi diskutuar. Kemi pas raporte të mira. Që unë nga pozicioni im si ndihmës, që e kam ndihmue luftën, i kemi shqyrtua problemet çfarë do kanë qenë ato. Unë kam qenë në Malajzi në emër të tij. Raportet i kemi pasur të mira”, ka deklaruar Kajolli.
Ai thotë që deri në momentin e vdekjes, Ahmet Krasniqin e kishin thirrur ‘bac’
“Se vetë ai nuk është quajtur ministër, sepse ne e kemi thirrë bac deri në momentin e vdekjes. Në momentin e vdekjes atëherë edhe shteti shqiptar e njohu si ministër dhe u varros si ministër i Mbrojtjes së Kosovës”, ka përfunduar Kajolli për Gazetën Express.
Me 21 shtator 2018 eshtrat e Ahmet Krasniqit janë rivarrosur në Prishtinë me nderime të larta shtetërore. Zyrtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë kërkuar edhe zbardhjen e vrasjes së tij.
Isa Mustafa ka thënë se zbardhja e atyre që e vranë Ahmet Krasniqin, është një amanet tjetër që duhet të plotësohet.
“Krahas përmbushjes së një amaneti që Baci (siç komunikonim me njëritjetrin) të varroset në Kosovë, shtrohet pyetja se si do të përmbushet amaneti tjetër, ai i zbulimit të dorasëve dhe organizatorëve të ekzekutimit të tij, pas zhvarrosjes nga Tirana dhe rivarrosjes në Prishtinë. Edhe këtë duhet ta kishin llogaritur organizatorët”, ka deklaruar Mustafa.