Si çdo ditë tjetër edhe më 9 nëntor të vitit 2015, Donjeta Pajazitaj ishte bërë gati që të niset për në punë.
Me të dalë nga dera e oborrit, ajo u zhduk.
Familjarët nuk kishin asnjë informacion për te deri në momentin kur pas gjashtë javësh ishin njoftuar se ishte gjetur e vrarë.
Nëna e Donjetës, Lumnija, thotë se ka kaluar nëpër fazën më të rëndë të jetës së saj.
“Kur e kam gjetur të vdekur më është dukur sikur e kam gjetur të gjallë, veçse më është hequr derti i saj se nuk është në dorë të hasmëve. E kam ditur në atë moment që është zhdukur se ajo në dorë të një personi të keq është, sepse ajo nuk ka pasur shanse kurrë të mungojë një natë apo një orë pa u lajmëruar”, tha Lumnije Pajazitaj për Radio Evropa e Lirë.
Pak ditë pas gjetjes së trupit të Donjetës, në fund të vitit 2015, si i dyshuar kryesor për vrasjen ishte arrestuar N.P, kushëri i familjes Pajazitaj.
Për nënën e Donjetës, Lumnijen ishte shumë e vështirë që të rrinte në të njëjtën sallë të gjykatës me të dyshuarin për vrasjen e vajzës së saj.
Pas më shumë se dy vjetësh, i akuzuari N.P u lirua në mungesë provash nga Gjykata Themelore në Pejë. Lumnija nuk pajtohet me procesin gjyqësor dhe mbetet me shpresën se drejtësia do të vihet një ditë.
“Ai gjykim ka qenë katastrofë. Të gjitha faktet, sidomos për këtë kanë qenë dhe e shpallën të pafajshëm. Tash unë nuk mund të them, me sy nuk e kam parë, por njeriun fajtor me e shpallë të pafajshëm, kjo është katastrofë. E çfarë kanë bërë e tek kanë bërë, ata e dinë”, tha Lumnije Pajazitaj derisa rrëfen kohën sa u zhvillua procesi gjyqësor.
Për dhjetë vjet, mbi 400 vrasje në Kosovë
Në mars të këtij viti, Gjykata Themelore në Pejë e shpalli të pafajshëm të akuzuarin kryesor për vrasjen e Donjetës, ndërkohë që rasti u dërgua në Gjykatën e Apelit në Prishtinë.
Ditë më parë, Rrjeti i Grave të Kosovës organizoi aksion protestues para Gjykatës së Apelit për këtë rast, duke kërkuar drejtësi për rastin e Donjetës.
Adelina Berisha nga Rrjeti i Grave të Kosovës është kritike ndaj sistemit të drejtësisë. Ajo thotë se duhet të vazhdohen hetimet deri në momentin që vrasësi i Donjeta Pajazitajt të marrë dënim meritor.
“Kemi dështim të hetuesisë në këtë rast, Prokurorisë, që të gjendet fillimisht vrasësi i saj, pasi që ky që ka qenë i dyshuari kryesor është shpallur i pafajshëm. E ne, sivjet kemi kërkuar nga Prokuroria që të vazhdojnë me hetime, të gjendet vrasësi apo në rast se ky është i dyshuari kryesor, atëherë të marrë dënimin e merituar”, tha Berisha për Radio Evropa e Lirë.
Donjeta Pajazitaj u gjet e vdekur në bjeshkët e Strellcit në komunën e Deçanit, në dhjetor të vitit 2015.
Në aktakuzë, Prokuroria pretendonte se i akuzuari, N.P e kishte ndaluar veturën dhe marrë me vete Donjetën në kohën kur ajo ishte duke shkuar në punë.
Më tej sipas aktakuzës, i akuzuari e kishte dërguar Donjetën në bjeshkë, ku e kishte qëlluar viktimën me dy plumba në kokë.
Ky rasti tani është në Gjykatën e Apelit në Prishtinë ku pritet që të vërtetohet vendimi i shkallës së parë, apo kthimi në rigjykim.