Shefi i Grupit Parlamentar të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se dialogu me Serbinë mund të udhëhiqet vetëm nga institucione përfaqësuese dhe legjitime, të cilat flasin në emër të shumicës së qytetarëve të Kosovës.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, Hoti ka shprehur edhe një herë qëndrimin e tij dhe LDK’së për bisedimet e Kosovës me Serbinë.

Ai ka thënë se dialogu nuk mund të udhëhiqet nga një qeveri e pakicës, që diktohet në veprime nga vullneti i partnerëve të vegjël të cilët e mbajnë në këmbë.

“Kryeministri nuk ka asnjë fuqi politike për të udhëhequr këtë proces, e as fuqi për të deleguar këtë autoritet tek dikush tjetër. Është e qartë se ai mund të flasë vetëm në emrin e partisë së tij, por jo në emër të Qeverisë, e cila është copëtuar në zona të interesit”, është shprehur Hoti.

Tutje ai ka thënë se udhëheqjen e dialogut duhet ta marrë përsipër një qeveri e fuqishme me bazë të gjerë, bazuar në mandate të qartë nga Kuvendi i Kosovës.

E kjo sipas Hotit, mund të arrihet vetëm me zgjedhje të lira, të cilat do të prodhojnë një qeveri stabile.

Ai është optimist se nëse mbahen zgjedhje të reja, fituese do të dalë LDK’ja.

“Në qeverinë e ardhshme, të udhëhequr nga LDK-ja, ne do të punojmë sado që është e nevojshme me të gjitha forcat politike për të arritur konsensus për dialogun. Sepse ky proces nuk i takon vetëm një partie apo vetëm qeverisë”, ka theksuar Hoti.